Stuhia prek vendin, Balluku: Të gjitha strukturat në terren për kthimin në normalitet të situatës

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, informoi mbi situatën e krijuar deri në orën 19:00, nga moti me stuhi reshjesh që përfshiu të premten territorin e vendit.

Referuar raportit të MIE-së, Balluku deklaroi se, stuhia, e cila ka përfshirë vendin tonë prej disa orësh, ka shkaktuar problematika në disa rajone.

“Të gjitha strukturat në varësi të MIE ndodhen në terren për rikuperimin e dëmeve dhe kthimin në normalitet të situatës”, u shpreh Balluku.

Sipas raportit të MIE-s, në sektorin energjetik: Aktualisht nuk janë në funksion 64 fidera, kryesisht në zona rurale. Të gjitha linjat 35 kV janë në funksion të plotë, përveç aksit Rrogozhinë-Divjakë. Gjithashtu plotësisht në funksion është edhe rrjeti i cili furnizon me energji elektrike institucionet e rëndësisë së veçantë.

Rrjeti i OST, kryesisht linjat 110 kV janë afektuar nga disa avari kalimtare, duke sjellë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike me kohëzgjatje deri në 10 minuta. Tashmë të gjitha nënstacionet janë funksion të plotë. Aktualisht në rrjetin e OST sh.a., të gjithë konsumatorët kanë furnizim me energji elektrike.

Të 3 HEC-et e kaskadës së Drinit janë në proces pune normal dhe digat në kushte optimale.

Në infrastrukturën rrugore: Në të gjitha akset nacionale nuk ka pasur bllokime në qarkullimin e automjeteve. Në autostradën Tiranë-Durrës dhe Plepa-Rrogozhinë, për shkak të intensitetit ka pasur vështirësi në lëvizje, por pa bllokuar trafikun e mjeteve.

Furnizimi me ujë: Aktualisht ka ndërprerje të punës në Stacionin Konjat, cili furnizon me ujë qytetin e Lushnjës pasi është stakuar energjia elektrike. Nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë. Në të gjithë vendin situata e furnizimit me ujë si dhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura janë në funksionim të plotë.

Në sektorin portual dhe aeroporte: Reshjet e dendura dhe era e fuqishme shkaktuan pezullimin e përkohshëm të operacioneve në portin e Durrësit. Gradualisht ka rifilluar veprimtaria në terminalet portuale.

Në portin e Vlorës është ndaluar ditën e sotme dhënia e lejes për lundrim e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit, si dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre në vendet e akostuara. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht.

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk ka pasur problematika të raportuara. Në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk ka pasur problematika të raportuara.