Në pritje të Reformës, Celibashi: Partitë “ta ndajnë mendjen”, e duan apo jo votimin elektronik

Teksa partitë politike parlamentare pritet të ulen në tryezën e reformës së radhës zgjedhore, ku do të shqyrtojnë të gjitha propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duket se është më konkret në propozim.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i kërkoi partive politike që të vendosin fillimisht e duan apo jo votimin elektronik në zgjedhje.

Po ashtu, Celibashi theksoi se është e domosdoshme ndryshimi i ligjit për partitë politike.

“Gjatë zgjedhjeve vendore u has problematika e mosfunksionimit të pajisjeve dhe kjo për probleme teknike, po ashtu, pati probleme të USB-ve dhe programimit.

Në 7 raste nuk kanë mundur të gjejnë shkaqet e mosfunksionimit, në 6 raste nuk është vënë pajisja në funksionim.

Ka nevojë për të vendosur rregulla për fushatën dhe përditësimin e të dhënave. Ka nevojë për ndryshimin e ligjit për partitë politike. Partitë politike duhet të vendosin nëse kanë interes për votimin elektronik.

Duhet të vënë në dispozicion edhe fondet prane KQZ-së që të mundësohet votimi dhe në bashki të tjera.

Rreth 2.1 milionë euro kostoja për votimin nga jashtë pa llogaritur kostot nëse do të aplikohet votimi me postë”, u shpreh ndër të tjera kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.