Berisha: Do i bëj gjyqin e shekullit Ramës. SPAK, në sallën e parlamentit për të sajuar vepra kriminale

Kreu i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot në konferencën e përjavshme për mediet zhvillimet e djeshme në parlament, duke i cilësuar ato si “dëshmi e pakontestueshme e narkodiktaturës së vendosur në Shqipëri”.

“Deputetë të opozitës me të drejta të mohuara në mënyrë antikushtetuese nga Edi Rama, kanë nisur betejën e tyre parlamentare për rivendosjen e të drejtave të tyre. Këtë betejë ata e kanë nisur me qëllimin e parë, rivendosjen e të drejtave dhe mosbojkotin e parlamentit. Pra, ata kanë përjashtuar rrugën e bojkotit të parlamentit. Pra, midis kësaj dhe betejës për të drejtat e tyre në parlament, kanë zgjedhur betejën për të drejtat e tyre në parlament. Mendoj se kjo është rruga më kushtetuese, më e ligjshme, më përfaqësuese dhe më e përgjegjshme e këtyre deputetëve”, tha Berisha.

Sipas tij, ky qëndrim i opozitës u përball me një situatë banditeske. Berisha përsëriti pretendimin se në sallën e parlamentit, në kundërshtim absolut me ligjet, kishte njerëz të armatosur.

“Po kaq e rëndë dhe kaq e shëmtuar ishte vrapimi pas ngjarjes në parlament, i SKAP-it të partisë, i cili ka shkelur çdo ligj dhe çdo rregull. Nuk kishte asnjë vepër krimi, nuk pati të plagosur, pa le më më shumë. Nuk ndodhi asnjë problem i veçantë, përveçse një proteste legjitime të opozitës. SKAP-i nën urdhrat e partisë, vrapoi në sallën e parlamentit me shoqëruesit e tij, për të identifikuar, për të sajuar, trilluar vepra kriminale”, tha Berisha.

Berisha tha se qëndrimi i PD-së është se “asgjë nuk do mund të ndalë betejën pa kthim të deputetëve të opozitës, përveç rikthimit të të drejtave të tyre”.

Sipas Berishës, duke iu referuar hetimeve në SPAK për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, tha se veprimet kundër tij u ndërmorën kur Rama kuptoi se nuk mund të kontrollojë më opozitën.

“Edi Rama ka ecur i sigurtë, se ka pasur në kontroll opozitën shqiptare. Ai e pa gjatë muajit të fundit se ky kontroll dhe pasojat e përçarjes së tij morën fund”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme ,me gazetarët deklaroi se kryeministri Edi Rama ndërmori aktet kundër tij, pikërisht kur e kuptoi se nuk mund të kontrollojë më opozitën.

“Tani unë jam këtu për këto çështje. Së pari, për të konfirmuar qëndrimin e PD se asgjë, nuk do mund të ndalë betejën pa kthim të deputetëve të opozitës, përveç rikthimit të të drejtave të tyre. Ne jemi të interesuar për jetë parlamentare normale në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren.

Ne nuk po bojkotojmë, pikërisht se jemi të interesuar, përndryshe nuk do shkonim në parlament. Por jo, ne po shkojmë në parlament, po protestojmë se jemi të interesuar për jetë parlamentare normale.

Së dyti, e garantoj Edi Ramën se asnjë lloj mase përveç rikthimit të plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës, nuk do mund të bllokojë protestën e deputetëve të PD.

Së treti, mashtrimi i paskrupullt i tellallëve dhe zyrtarëve të qeverisë, se kjo që ndodh ka lidhje me persekutimin politik të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, është një gënjeshtër e turpshme.

Kjo është shpallur përpara se Edi Rama të shpallë masat.

Edi Rama ndërmori aktet kundër Sali Berishës, pikërisht kur e kuptoi se nuk mund të kontrollojë më opozitën, e kuptoi se PD sot në këmbë është e vendosur të përmbysë regjimin e tij.

Edi Rama ka ecur i sigurt, se ka pasur në kontroll opozitën shqiptare. Ai e pa gjatë muajit të fundit se ky kontroll dhe pasojat e përçarjes së tij morën fund.

Dhe ky është shkaku i tronditjes së tij gjer në palcë. Ai e di se këtë opozitë nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë pa realizimin e qëllimeve të saj, rikthimin e votës së lirë të shqiptaërve.

Ai e di mirë se me një opozitë të vërtetë nuk fiton kurrë. Ai e di mirë se sot opozita nuk mund të kontrollohet më prej tij, nuk i nënshtrohet me asgjë tjetër përveç ligjeve të vendit dhe është shndërruar në dy muaj në tmerrin e vërtetë të tij”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se një procesi politik do i përgjigjem me një gjyq politik ndaj Edi Ramës.

“Përsa i përket Sali Berishës dhe procesit politik ndaj tij, ju garantoj se do i bëjë gjyqin politik para jush Edi Ramës. Por pa i ngatërruar këto të dyja. Do i bëj gjyqin e shekullit atij.

Një procesi politik do i përgjigjem me një gjyq politik. Këtë nuk mund ta shmangë. Por asnjë njeri nuk mund të thotë se kjo ka lidhje me protestën pasi protesta u shpall kohë përpara. Edhe Edi Rama mendoi se antidoti i kësaj proteste është procesi që shpalli.

Po atë unë do ta zbërthej në çdo segment të këtij, si një proces të turpshëm politik ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit.

Kjo është çështje dhe Sali Berisha këtu e ka detyrim madhor këtë ndaj çdo demokrati, ndaj çdo qytetari shqiptar që i intereson e vërteta.

Fakti që nuk guxuan mercenarët e Edi Ramës të thërrasin njëherë, të marrin njëherë në pyetje, aty mungon dokumenti kryesor, të marrin njëherë në pyetje Sali Berishën, dëshmon tmerrin që kanë ata nga Sali Berisha.

Tre vite, nuk guxuan një pyetje. Por të mos i përziejmë gjërat, ai një gjyq politik i shekullit ndaj diktaturës dhe Edi Ramës, kjo një betejë për rivendosjen e Kushtetutës”, deklaroi Sali Berisha.

PO ashtu, ish-kryeministri theksoi se nëse plotësohen tre kërkesat, grupi parlamentar i PD-së angazhohet me seriozitetin më të madh në jetën parlamentare

“Ne jemi seriozë në ato që themi. Kjo është betejë... Pse ne nuk kaluam në një protestë të përgjithshme? Ju garantoj se nëse plotësohen tre kërkesat, grupi parlamentar i PD angazhohet me seriozitetin më të madh në jetën parlamentare.

Pra, të harrojë kush se ne kemi projekt për bojkotin e parlamentit, jo për djegien e mandatit, po as bojkotin e parlamentit.

Se fare mirë mund të themi, kur t’i plotësoni kërkesat, do kthehemi. Jo, do jemi në parlament, do vazhdojmë të jemi në parlament. I plotësuat kërkesat, jeta në parlament zhvillohet sipas rregullave”, theksoi Sali Berisha.