Lufta kundër korrupsionit, Rama: Të forcojmë kapacitetet e brendshme kontrolluese të pushtetit ekzekutiv
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në drejtim të luftës kundër korrupsionit duhet të forcohen edhe kapacitetet e brendshme të pushtetit ekzekutiv.
Në mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të PS-së në Fier, Rama tha se duhet të kontrollohet shumë më tepër dhe shumë më në qelizë veprimtaria e pushtetit ekzekutiv në mënyrë që goditja e korrupsionit të mos jetë diçka ekskluzive e SPAK-ut.
“Ose po se kapi SPAK-u janë prokuroritë e tjera. Por duhet që ne të krijojmë kapacitetet e brendshme të pushtetit ekzekutiv. Këtu është roli i institucioneve”, tha ai.
Kryeministri kujtoi se edhe përpjekjet për Reformën në Drejtësi kanë nisur shumë më parë, kur PS ishte në opozitë.
“I kemi propozuar qeverisë së asaj kohe një pakt kombëtar për drejtësinë. Ka qenë dokument i propozuar nga PS në vitin 2008. Në vitin 2009 ne nuk arritëm dot të marrim fitoren. Na bëri mirë ajo se pastaj mësuam të fitojmë dhe vetëm të fitojmë. Pastaj kemi shkruar programin ‘Për një rilindje shqiptare’ që u bë programi ynë elektoral i vitit 2013 dhe e kemi reformën në program”, theksoi Rama.
Rama tha se kjo është një nga arsyet themelore për të qenë krenar për këtë familje politike.
“Nëse pandëshkueshmëria nuk është më mit kjo ndodh vetëm sepse ekziston PS. Askush tjetër, as ata që ishin, as ata që duan të jenë. Askush nuk e ka këtë kapacitet shtetbërës që ka PS në ADN e vetë. Nga vitit 1991 në Shqipëri ka pasur dy forca, një që ka shkatërruar dhe një që ka rindërtuar. PS mund të ketë bërë gabime të mëdha në momente të caktuara, por në asnjë rast nuk mund t’i thuash se për shkakun tënd, të kësaj partie, Shqipërisë i ndodhi një shkatërrim. Partia Socialiste mund ta ketë gjuajtur topin jashtë, por huq nuk ka dalë ndonjëherë”, theksoi ai.
