Agalliu: Pensionistët, asnjë lek më tepër në buxhetin 2024

Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Arbi Agalliu deklaroi sot në një dalje për mediet se nuk do të ketë rritje të pensioneve për vitin 2024.

Duke komentuar projektbuxhetin që u miratua në Këshillin e Ministrave dhe tashmë po diskutohet në komisionet e Kuvendit, Agalliu tha se gjatë vitit 2024 do të rritet edhe më tepër pamundësia e pensionistëve për të blerë produktet bazë të jetesës.

“Nëse do të marrim shembull vetëm një kavanoz me kos 250 gr nga 500 lekë që kushtonte para pak kohësh, sot kushton gati dyfish, 1000 lekë. Pra i thonë 15.000 lekë më shumë në muaj për të blerë të 250 gram kos në ditë. Ndërkohë qeveria për një pension 100.000 lekë, prej tetorit të këtij viti do të japë 8600 lekë më shumë për shkak të inflacionit. Pra kjo rritje nuk mbulon dot as shpenzimet për 250 gr kos në ditë”, tha Agalliu.

“Kjo qeveri e cila iu merr shqiptarëve qindra miliona euro nga tatimtaksat, e po kaq nga korrupsioni në administratën publike, nuk gjen mundësi t’i japë pensionistëve përgjatë vitit 2024 asnjë lek më tepër, qoftë për të mbuluar së paku një tas kos. Ky është buxheti i vitit 2024”, tha Agalliu.