Projektbuxheti 2024, Rama: 400 milionë euro për pagat dhe 250 milionë euro për pensionet

Kryeministri Edi Rama tha sot se, projektbuxheti i vitit 2024 adreson 400 milionë euro në dispozicion për pagat dhe 250 milionë euro janë vënë në dispozicion për pensionet, të cilat janë të shtrira në dy vite.

Në mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Fier, Rama u shpreh se, “natyrisht që sa herë flitet për pensionet, kjo është një dhimbje për faktin që akoma nuk dalin llogaritë për të bërë një kërcim më të lartë, sepse pensionet janë të lidhura drejtpërdrejtë me sigurimet dhe në një vend ku deri dje sigurimet shoqërore ishin një gropë po aq e madhe sa ajo e Sudes, por e padukshme në sytë e njerëzve, është shumë e vështirë që të bësh atë që bën me pagat”.

“Megjithatë, 400 milionë euro janë vënë në dispozicion për pagat dhe 250 milionë euro janë vënë në dispozicion për pensionet. Shikoni tani se çfarë inpakti kanë 400 milionë eurot e pagave tek ata që janë në punë dhe çfarë inpakti kanë 250 milionë eurot e pensioneve. Një impakt shumë më të vogël, sepse numri i individëve përfitues është shumë herë më i madh, ama kjo është arka”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, buxheti ynë prej 7 miliardësh që është më shumë se dyfishi i buxhetit që kemi pasur kur ne kemi marrë detyrën, më shumë se dyfishi, 33%, një të tretën e ka për mbrojtjen sociale, për kujdes social. Në këtë 33% nuk janë vetëm pensionet por janë edhe ndihma ekonomike, pagesat e papunësisë, asistencat sociale, janë ish-të përndjekurit, ish-pronarët, janë edhe bebet, bonusi i bebes, që nga gjyshërit deri tek të porsalindurit.

“Këtë shtrirje të mbështetjes dhe kujdesit social, ky vend nuk e ka pasur asnjëherë më parë, kjo është e vërteta. Pastaj, ato diskutimet jeni të majtë por nuk jeni të majtë, se jeni të djathtë, ato pastaj janë muhabete”, tha Rama.

Ai theksoi se, “fakti është që 33% e 7 miliardë eurove shkojnë vetëm për mbrojtjen, për kujdes social në buxhetin e 2024 dhe mos harrojmë që jemi një vend i NATO-s, kemi detyrimet e marra si anëtarë të NATO-s dhe për herë të parë Shqipëria ka 2% të buxhetit për ushtrinë, që do të thotë 2% është kriteri që përmbush detyrimin ndaj NATO-s. Ka vende shumë më të forta se ne që mbase tani do të jenë tek 2%, por nuk kanë qenë tek 2%. Natyrisht, ky është proporcion, por ama në proporcionin e buxhetit tonë, ky është një detyrim që Shqipëria e ka të plotësuar”.

“Ky është buxheti pak a shumë, dhe diçka tjetër, asnjë taksë nuk do të rritet. Asnjë!
Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me 0 taksë, nuk e ka asnjëri. Dhe 0 TVSH, nuk e ka asnjëri”, u shpreh Rama.

Ndërkohë vijoi Rama, “jemi duke diskutuar dhe mbase do të arrijmë deri në fund që edhe nivelin e taksës mbi pagën, nivelin e lartë të taksës mbi pagën, të bëjmë një rishikim që nga rritja e pagave në nivelin e lartë dhe kur them niveli i lartë, kam parasysh që deri dje kishim 1 milionëshin si nivel të lartë, sot nuk është 1 milionëshi nivel i lartë, kështu që edhe aty do të mundohemi të bëjmë një zbutje, në mënyrë që të mbetet më shumë për familjet, të mbetet më shumë për ata që marrin pagën”.