Rama: S’ka rritje taksash, rishikim i nivelit të taksës mbi pagën
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “asnjë taksë nuk do të rritet. Asnjë”.
Në mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Fier, Rama u shpreh se, “jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me 0 taksë, nuk e ka asnjëri. Dhe 0 TVSH, nuk e ka asnjëri”.
Kryeministri informoi se, ndërkohë kanë nisur diskutimet për rishikimin e nivelit të lartë të taksës mbi pagën.
“Ndërkohë jemi duke diskutuar dhe mbase do të arrijmë deri në fund që edhe nivelin e taksës mbi pagën, nivelin e lartë të taksës mbi pagën, të bëjmë një rishikim që nga rritja e pagave në nivelin e lartë dhe kur them niveli i lartë, kam parasysh që deri dje kishim 1 milionëshin si nivel të lartë, sot nuk është 1 milionëshi nivel i lartë, kështu që edhe aty do të mundohemi të bëjmë një zbutje, në mënyrë që të mbetet më shumë për familjet, të mbetet më shumë për ata që marrin pagën”, u shpreh Rama.
