Ish-luftëtari i UÇK-së: Sulmi në Banjskë, akt i terrorizmit shtetëror nga ana e Serbisë. Në Preshevë po ndodh genocid
Një ditë pasi fitoi lirinë nga Gjyakata e Apelit të Tiranës, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Dritan Goxhaj që u arrestua për llogaritë Gjykatës Speciale të Hagës në Prishtinë rrëfeu ditët e tij në izolimit.
I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në televizionin Ora Neës të moderatores Beti Njuma, Goxhaj e nisi bisedën me një falënderim për të gjitha mediat që e kanë mbështetur përgjatë gjithë kësaj periudhe, dhe që nuk e lanë të luftonte i vetëm.
Nga ana tjetër, Goxhaj shprehu shqetësimin e tij për genocidin që po u bëhet shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Bujanovcit nga ana e Serbisë.
Po ashtu ai tha se sulmi në veri të Kosovës ishte një akt i pastër terrorist shtetëror i organizuar nga Serbia.
Pjesë nga intervista
Dritan Goxhaj: Paqe në Ballkan nuk ka për të pasur për sa kohë shqiptarët vriten dhe masakrohen, një genocid që vazhdon edhe në këtë moment që po flasim bashkë. Ne kemi shqiptarët në Luginën e Preshevës, kemi shqiptarët e Bujanovcit të cilët prej vitit 2004 po përzëhen për shkak të një urdhri administrativ për pasivizimin e adresave. Pra, po largohen me forcë nga vendlindja e tyre, dhe tani kanë nisur duke i marrë dhe pronat. Pasi me vendim nëse nuk i përdor, shteti t’i merr, dhe po ua japin serbëve. Ora, kjo është një shpërngulje e dhunshme me forcë, jo masive siç bëhej në vitet 1998 – 1999, por me individë të caktuar.
Ju jeni njohur me qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me sulmin terrorist në Kosovë?
Dritan Goxhaj: Jo nuk jam njohur. Por kur themi një sulm terrorist e kemi minimizuar sulmin, pasi kemi të bëjmë me një sulm terrorist shtetëror. Pra me një akt i terrorizmit shtetëror nga ana e Serbisë. Ajo i ka pajisur, stërvitur, instruktuar dhe i ka çuar për të bërë këtë veprim për të futur në grackë Policinë e Kosovës dhe komplet Kosovën.
Ata që e kanë kritikuar kryeministrin Rama kanë thënë se ai nuk e ka përmendur asnjehërë Serbinë, nuk e ka quajtur sulm terrorist, dhe ka kërkuar hetim jo ndërkombëtar, por nga vetë Serbia për atë që ndodhi...
Dritan Goxhaj: Unë do të thoja që Parlamenti shqiptar duhet të miratojë Rezolutën e Parlamentit të Kosovës, dhe jo të miratojë një rezolutë që mbështet atë rezolutë. Shiko, qeveria shqiptare kur mori mandatin e dytë për drejtimin e Këshillit të Sigurimit krijoi një tryezë për Ukrainën, por a kemi sot një tryezë për Kosovën? Pse qeveria shqiptare nuk e organizon një tryezë të tillë? Edhe pa dashur t’i etiketojmë palët. Sepse në tryezat diplomatike etiketimet nuk kanë vend. Por ama qeveria shqiptare mund ta organizojë një tryezë për këtë sulm të armatosur në Kosovë, pa pasur nevojë t’i etiketojë askush. Nuk mund ta monipolizojmë atdhetarizmin. Dhe shteti shqiptar mund ta bëjë këtë lloj tryeze atdhetarie, pa bërë etiketime dhe kjo do t’i vinte në ndihmë Kosovës.



