Çekia mendon për Shqipërinë, emra me peshë në listën e trajnerit Jaroslav Šilhavý
23 emra, nuk ka eksperimente pasi koha nuk premton. Republika Çeke e ka të qartë misionin dhe emrat që do të përpiqen të respektojnë objektivin për një fitore me Shqipërinë.
Pas dy sukseseve dhe një barazimi zhgënjyes ne Moldavi, ekipi i drejtuar nga trajneri Jaroslav Šilhavý kërkon 3 pikë që do ta mbanin në krye të klasifikimit të grupit eleminator E, i vlefshëm për Euro 2024.
Ndeshja do të luhet në datën 7 shtator në “Fortuna Arena” të Pragës ndërsa mungesa më e madhe është ajo e sulmuesit Patrick Schick i cili do të qëndrojë në bokse deri në muajin tetor.
Sulmuesi i Bayer Leverkusen ka pësuar një dëmtim të rëndë që në muajin qershor dhe nuk do të ketë mundësi ta ndihmojë ekipin e tij në misionin e vështirë për të ruajtur pozitat kryesuese në grupin eleminator.
Pjesa dërrmuese e lojtarëve të Cekisë aktivizohen në kampionatin vendas, ndërsa kërcënim për Shqipërinë do të jenë emra të tillë si sulmuesi i Bayer Leverkusen, Hlozek, mesfushori i West Ham, Soucek, ndërsa në mbrojtje Šilhavý ka si pikë referimi lojtarin tjetër të West Ham, Vladimir Coufal.
