Clapper: Publikimi i tabulateve, kërcënim për sigurinë kombëtare

Kreu i shërbimeve të zbulimit në Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se nxjerrja e dokumentave që publikojnë faktin se qeveria kishte një program sekret për mbledhjen e tabulateve të telefonatave nga miliona amerikanë, përbën kërcënim të sigurisë kombëtare.James Clapper, Drejtori i Zbulimit Kombëtar tha se publikimi i pa-autorizuar i atij që e cilësoi si “një program i rëndësishëm dhe plotësisht i ligjshëm” është një akt i dënueshëm dhe vë në rrezik masa të rëndësishme për mbrojtjen e amerikanëve.Ai shtoi se njoftimet e medias përfshijnë shumë pasaktësi lidhur me programin. Ai këmbënguli se ligji që lejon përgjimin e amerikanëve, lejon njëkohësisht edhe mbledhjen e informacioneve por vetëm për persona pa shtetësi amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara.Administrata Obama është bërë objekt kritikash pas një artikulli në gazetën The Guardian se qeveria ka mbledhur në mënyrë sekrete të dhëna mbi telefonatat nga numrat personalë të miliona amerikanëve që përdorin kompaninë Verizon për shërbimin telefonik. Gazeta tha se këtë masë e autorizoi Gjykata për Zbulim të Huaj në kuadër të përpjekjeve anti-terroriste të qeverisë.Faktet e zbuluara për punën e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe kompanisë telefonike Verizon janë përcjellë me kritika dhe revoltim nga veprimtarët për liri civile.Pa konfirmuar se ka qenë në zbatim një praktikë e tillë, një zyrtar i lartë i administratës Obama tha, me kusht që të mos identifikohej, se grumbullimi i tabulateve është një veprim i rregullt në bazë të Aktit Patriot, një ligj i miratuar nga Kongresi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.