Obama riformaton ekipin e Sigurisë Kombëtare
Presidenti Barack Obama ka arritur të riformatojë ekipin e tij të Sigurisë Kombëtare, duke afruar besniken e tij prej një kohe të gjatë, Susan Rice në Shtëpinë e Bardhë.Presidenti Obama ka emëruar ambasadoren Susan Rice për postin e Këshilltares për Sigurinë Kombëtare ndërsa Samantha Poëer do të marrë postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara.Susan Rice ishte në qendër të polemikave që u ndezën ndërkohë që vazhdonte fushata presidenciale vjet, lidhur me komentet e saj për sulmin terrorist ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.Ajo pritej të merrte rolin e Sekretares së Shtetit, por e tërhoqi kandidaturën pas kritikave të ashpra nga republikanët. Vetë zonja Rice tha se nuk donte që kandidatura e saj të bëhej shkak për zhvendosjen e vëmendjes nga përparësitë.Presidenti Obama e cilësoi zonjën Rice si një mbrojtëse të palodhur të interesave amerikane. “Ajo ka ndihmuar për të vënë në zbatim sanksione të forta kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, ka mbrojtur Izraelin, ka ngritur zërin në mbrojtje të civilëve të pafajshëm nga Libia, në Bregun e Fildishtë, ka mbështetur shpalljen e pavarësisë për Sudanin e Jugut, ka ngritur zërin për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e grave. Me pak fjalë, Susan Rice personifikon traditën më të mirë të diplomacisë amerikane” tha presidenti.Zonja Rice u shpreh në komentet e saj se përpara qëndrojnë mundësi të mëdha dhe sfida të vazhdueshme. “Ende mbetet shumë për të bërë në emër të popullit amerikan” tha ajo.Emërimi i zonjës Rice nuk kërkon miratim nga Senati. Një ndër kritikët e saj më të ashpër, Senatori republikan John McCain, tha se është kundër emërimit të saj në këtë post, por shtoi se do të bëjë çdo përpjekje për të punuar me të për përmbushjen e përparësive të rëndësishme.Samantha Poëer është kandidatura për Ambasadore amerikane në OKB. Emërimi i zonjës Poëer, e cila ka pasur role të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe poste në Departamentin e Shtetit lidhur me të drejtat e njeriut dhe demokracinë, duhet të miratohet nga Senati.Zonja Poëer ishte ndër zyrtarët që u shprehën për nevojën e ndërhyrjes amerikane dhe të NATO-s në Libi dhe ishte një zë i fortë në një numër çështjesh, përfshirë nevojën për reforma në Kombet e Bashkuara.Në fjalën e tij, Obama e vuri theksin tek angazhimi i zonjës Poëer tek përgjegjësia morale dhe puna e saj në mbrojtje të dinjitetit njerëzor. Ai i bëri thirrje Senatit të miratojë kandidaturën e saj sa më pare.“Ajo njeh pikat e forta të OKB-së, njeh pikat e dobëta të organizatës, e ka të qartë se u shërben interesave të Amerikës kur arrijmë të sigurojmë mbështetjen e botës, dhe e ka të qartë se Amerika duhet të ngrejë zërin për parimet dhe idealet tona” tha Obama.Analistët parashikojnë se emërimi i zonjës Poëer mund të ofrojë një shans të ri që kritikët të sulmojnë presidentin Obama për ato që i cilësojnë si dështime të administratës në politikën e jashtme, në veçanti në Siri.