Chiellini: Shoh Napolin dhe Interin favoritë, do preferoja një fund tjetër për Bonuccin
Në një intervistë për gazetën torineze “Tuttosport”, ish-mbrojtësi i juventusit, Giorgio Chiellini foli për tema të ndryshme, mbi të gjitha për Juven ‘e tij’ dhe mundësinë e rikthimit te titulli, çka i mungon prej katër sezonesh tashmë: “Juve duhet të synojë, si çdo vit, të fitojë titullin e Serie A. Nuk do të varet vetëm prej tij, padyshim, por dhe rivalëve.
Në të kaluarën Juve e niste kampionatin gjithnje si favorit, ndërsa këtë herë nuk do të jetë kështu. Nuk është favorit, edhe nëse mund ta fitojë titullin. Në dy vitet e fundit, titulli nuk i ka shkuar favoritit, kjo mund të jetë një shenjë e mirë.
Interi po ndryshon, me Lukakun dhe Dzeko pesha e zikaltërve do të kishte qenë ndryshe. Megjithatë, kush arrin ne finalen e Ligës së Kampionëve duhet llogaritur si favorit. Këto dy skuadra janë pak më përpara se të tjerat. Unë shoh Napolin dhe Interin në rreshtin e parë, pastaj Milanin dhe Juven.
Jam kurioz të shoh Atalantën, që po bën një merkato interesante transferimesh. Nuk mendoj se Roma dhe Lazio kanë forcën për të synuar titullin dhe në të njëjtën kohë për të pasur një nivel të caktuar në kompeticionet e tjera”.
Disa fjalë edhe rreth situates se Bonuccit: “Padyshim që kam folur me Leo-n. Ajo që ndjej është pakënaqësi. Do të kisha preferuar një fund tjetër, që Leo të përshëndetej siç duhet nga fansat, por nuk ndodhi. Shpresoj se do të gjendet një pikë takimi, që mund të jetë e mirë si për Leonardon, ashtu edhe për klubin.
Shpresoj që Leo të vazhdojë në një nivel të lartë dhe për këtë arsye të arrijë në formë të mirë në Kampionatin Evropian. Një karakteristikë e Juventusit është se bën zgjedhje pa parë askënd në fytyrë.
E drejta apo e gabuara nuk mund të përkufizohet mirë, unë them gjithmonë se e vërteta qëndron diku në mes. Le të themi se është një klub që nuk ka pasur kurrë probleme, madje edhe kur ka bërë zgjedhje jo popullore”.


