Ballkani mund të shesë sulmuesin për mijëra euro, por problem bëhet njohja e Kosovës
Ballkani kërkon të përsërisë suksesin e sezonit të kaluar ku u kualifikua në grupet e Conference league. Skuadra nga Suhareka pasi u eliminua nga eliminatorët e Champions League, do ta vazhdojë aventurën në eliminatoret e Conference League.
Ballkani arriti të fitonte ndeshjen e parë në Champions ndaj Ludogorets 2-0, por e humbi ndeshjen e kthimit 4-0. Por jo gjithcka shkoi keq për ekipin kosovar, pasi shumë lojtarë bënë paraqitje të mira duke tërhequr vëmendjen e shumë ekipeve në europë.
Një prej tyre është edhe sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani. Sipas mediave, Rapidi i Bukureshtit ka shfaqur interes për Rrahmanin ku madje thuhet se ekipi i Ballkanit dhe ai rumun kanë rënë dakord edhe për shifrën e transferimit që do jetë rreth 700 mijë euro.
Por problem për Rrahmanin është se sulmuesi ka vetëm pasaportën e Kosovës, ndërsa Rumania ende nuk e njeh Kosovën zyrtarisht. Albion Rrahmani duhet të pajiset me vizë të posacme, në mënyrë që ky transferim të kryhet.


