Turqi, shënohet dita e gjashtë e përleshjeve
Përleshjet mes policisë dhe protestuesve anti-qeveritarë në Turqi kanë hyrë në ditën e tyre të gjashtë. Policia ka përdorur ujë me presion dhe gazlotsjellës në orët e para të së mërkurës për të shpërndarë demonstruesit në Stamboll dhe Ankara. Protestuesit janë përpjekur të pushtojnë zyrat e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan në të dy qytetet.Protestat kanë vazhduar, pavarësisht thirrjeve të reja të qeverisë për t'i dhënë fund trazirave.Zëvendëskryeministri turk Bulent Arinc të martën kërkoi falje për atë që ai e quajti "dhunë e tepruar" nga policia, nga e cila qindra demonstrues janë plagosur.Edhe sindikatat kanë dalë në mbështetje të protestave popullore, një nga unionet më të mëdha në Turqi dje bëri thirrje për një grevë dyditore. Në emër të 240 mijë punonjësve që përfaqëson, sindikata akuzoi Qeverinë se po kryen terror shtetëror.Autoritetet lokale konfirmuan se janë tre të vrarët në bilancin e protestave.SHBA, aleate e Turqisë në NATO, e ka mirëpritur kërkimfaljen. Demonstruesit akuzojnë Erdoganin se po bëhet gjithnjë e më autoritar. Protestat shënojnë sfidën më serioze të brendshme për kryeministrin, që kur erdhi në pushtet në vitin 2002.