Partizani hedh hapin e madh në Andorra, turi i tretë i Conference League shumë pranë (VIDEO)

Kampionët e Shqipërisë kalojnë me sukses një transfertë shumë të vështirë në fushën e lojës edhe pse në letër mes Partizanit dhe Atletic D’Escalades nuk kishte asnjë krahasim.
45 minutat e para shumë të vuajtura dhe më pas lëvizja e Zoran Zekic rezultoi vendimtare për të hedhur në fushë Da Silvan në vend të Grezdës pasi loja e të kuqve ndryshoi ndjeshëm në pjesën e dytë.
Gabimi trashanik i portierit kundërshtar favorizoi Cristian Mba që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 53-të duke çliruar tensionin në këmbët e “Demave” që nuk duhet të rrezikonin në këtë transfertë ku fituan minimalisht dhe më pas shpërdoruan edhe të paktën dy mundësi për të thelluar avantazhin.
Pas një jave Partizani do të presë në Elbasan të njëjtin kundërshtar por asgjë nuk është mbyllur edhe pse skuadra shqiptare mbetet e avantazhuar për të sfiduar në raundin e tretë fituesen e çiftit Tre Pene-Valmiera.
