Topi “josh” Ramën, zhvendos akuzat vetëm ndaj Kryeministrit
Vetëm pak ditë pasi ish presidenti i vendit dhe kryetar i FRD, Bamir Topi, lëshoi deklaratën se partia e tij do jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme, duket se tashmë i është futur punës për përgatitjen e terrenit. Nuk ka më një klasë politike të vjetër, por një problem serioz për vendin dhe ai është Sali Berisha. Gjatë një takimi me banorë të Njësisë Nr.1 në Tiranë, zoti Topi përgjegjësinë lidhur me aktualitetin e hidhur në vend e faturon direkt mbi qeverisjen 8-vjecare të Sali Berishës.“Vërtetë i kam trajtuar dy partitë e vjetra në mënyrë ekuivalente, por sot unë do të filloj ta diferencoj. Vërtetë kanë faje të dyja, të cilat po i vuan shoqëria, por duke iu referuar aktualitetit, problemet kryesore lidhen me ato që po mbyllin një cikël 8- vjeçar në pushtet. Gjithnjë e më shumë lidhet dhe personalizohet me emrin e kryeministrit, i cili ka marrë rrugët e Shqipërisë duke dhënë premtimet e rradhës, premtime që nuk janë gjë tjetër vetëm një tentativë për demagogjinë e rradhës.”- tha Topi.Duke iu referuar çështjes së pronës, Topi tha se FRD parashikon në programin e saj zgjidhjen jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. Kreu i FRD- së i bëri thirrje që më 23 qershor tiranasit të dënojnë me votë këtë qeveri, të paaftë dhe të korruptuar.