Meta: Politikat dhe taksat duhet të jenë në funksion të punësimit
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të ketë qasje të ndryshme nga PS sa i përket programit për taksat. Kreu i LSI, Ilir Meta, gjatë një bashkëbisedimi me studentët shqiptarë të diplomuar jashtë vendit, dekaroi se të gjitha politikat edhe taksat duhet të jenë në funksion të punësimit të qytetarëve.“Kemi dëgjuar debate dhe për taksat, dhe dëgjojmë pyetjen jeni i majtë apo i djathtë. Nuk është ky thelbi i gjithë diskutimit dhe debatit. Thelbi kryesor i gjithë situatës ekonomike në të cilën ndodhet vendi, është se cfarë do prodhojnë Shqipëria, cila janë mundësitë për të ulur importet dhe cfarë do eksportojë Shqipëria në mënyrë që të kemi një ekonomike që përfiton nga proceset integruese dhe jo që shkon drejt falimentimit. Për ne prioritet kryesor cështja e punësimit, ndaj të gjitha politikat edhe taksat duhet të jenë në funksion të punësimit. Nëse një njeri është i papunë cfarë takse do i marrësh? E para prodhimi, e dyta puna, në mënyrë që ne të kemi mundësi të rrisim edhe të ardhurat në mënyrë të drejtë dhe sociale” tha Meta.Duke iu përbajtur një prej pikave të programit të LSI për nxitjen e bizneseve, Meta tha se kriza e vendeve evropiane është shenjë e mirë për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj.
“Prioritet yni është krijimi i parqeve industriale në mënyrë që investitorët të transferojnë një fabrikë, duke i përjashtuar vitet e para nga detyrimet tatimore, pasi interesi ynë është punësimi”theksoi ai.Tregu dhe infrastruktura nuk janë zgjidhje e cdo problemi, tha më tej kreu i LSI, duke e cilësuar të dështuar idenë e Kryeministrit dhe për ta ilustruar mori si referencë rrugën e Kombit, për të cilën sipas Metës u shpenzuan shifra të mëdha, por nuk solli zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit të Kukësit.“Raporti i kryeministrin aktual, me tregun dhe infrastrukturën. Ideja se tregu zgjidh cdo gjë është dështim. Një nga pasojat e krizës financiare bazohet këtu. Roli rregullator i shtetit është i rëndësishëm, politikat sociale dhe përgjegjësia e shtetit. Investimi aktual që ka bërë qeveria aktuale është rruga e Kombit. Një investim jashtëzakonisht i lartë, unë e kam përshëndetur pasi është një investim strategjik pavarësisht se i kushtueshëm. Kusht do ishte që përfituesi i drejtpërdrejtë i këtij investimi, duhet të ishte qyteti i Kukësit sepse nga Kukësi në Tiranë e bëjë për 8 orë dhe do e çoje makinën me vrap në servisi, tani shkon për 2 orë e gjysmë, por a ka ndryshuar gjendje ekonomike dhe sociale e Kukësit”?deklaroi Meta.Gjatë takimit zoti Meta shpalosi dhe programin e partisë së tij për punësimin jo vetëm të rinjve, por gjithë shqiptarëve. Ai u bëri thirrje palëve politike ti japin fund deklaratave populiste për ekonominë dhe të bazohen në projekte konkrete dhe reale.“Po të vijohet me politika populiste dhe jo realiste situata do të përkeqësohet dhe treni do jetë negativ, ndaj LSI synon të tërheqë vëmendjen e gjithë aktorëve politikë, ekspertë të shoqërisë civile qytetarëve dhe votuesve se ne duhet të vendosim objektiva strategjike për të ardhmen në mënyrë që të garantojmë një rritje ekonomie më të lartë dhe të qëndrueshme si rruga më e mirë për të garantuar një punësim të sigurtë dhe afatgjatë. Ekonomi që jo vetëm që prodhon, por dhe eksporton. Remitancat e emigrantëve tanë në rënie drastike dhe kjo krijon problem të madh dhe disbalancim serioz, duke ulur importet dhe rritur eksportet”, përfundoi Meta.