Armando Broja zbulon njeriun e afërt që e bëri tifoz “ultras” të Chelseat

Armando Broja nuk është thjesht një lojtar sepse zemra e tij rreh për skuadrën e Chelseat dhe ky nuk është një mister. Në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të klubit londinez, shtatlarti shqiptar i cili ka një kontratë afatgjatë me “Blutë”, rrëfen momentet e para të kontaktit me këto ngjyra dhe në atë kohë ai nuk e kishte menduar që ndoshta një ditë do të ishte pjesë e këtij klubi:

“Isha diku te 5-6 vjeç dhe mbaj mend që xhaxhai im më mori në një ndeshje. Ai ishte një nga arsyet pse u bëra tifoz i Chelsea-t sepse ai ishte ndoshta fansi më i madh në botë. Kisha të veshur një shall dhe një kapele. Nuk e mbaj mend se kush po luante sepse isha shumë i vogël, por ishte një nga eksperiencat më të bukura në jetën time.

Kur unë shkoja në të gjitha ndeshjet në “Stamford Bridge” ishte së bashku me xhaxhain, sepse ai ishte i vetmi tifoz i Chelseat që unë njihja. Përherë doja të shkoja me të, ndonjëherë me babin, por më së shumtin e rasteve me xhaxhain dhe ishte e mrekullueshme për të që të më merrte dhe të përjetoja atë eksperiencë në atë moshë. Pati vërtet shumë impakt.

Nuk e dija se çfarë ndjenje ishte të shkoja në stadium. Kur isha jashtë në rrugë dhe pas 5-6 mijë njerëz që ecnin së bashku ishte vërtet masive”.