Formula 1 - Hamilton, optimist në Kanada/ Piloti britanik shpreson të jetë konkurrues për pjesën tjetër të sezonit
Pavarësisht se titulli kampion për këtë sezon duket se është i përcaktuar në këtë faze të Formula 1, britaniku Lewis Hamilton premton spektakël deri në garën e fundit.
Formula 1 rikthehet këtë fundjavë në Montreal me Çmimin e Madh të Kanadasë. Mercedesi tregoi sinjale përmirësimi në Spanjë, duke qenë se skuderia gjermane iu nënshtrua disa ndryshimeve në strukturën e makinës dhe aerodinamikë.
Falë kësaj, Lewis Hamilton dhe George Russell u renditën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë duke iu afruar disi RedBullit të Max Verstappen.
Tashmë, për në Kanada, “oreksi” është shtuar te Mercedesi dhe sidomos te Hamilton që beson te fitorja në Montreal.
“Gara e fundit në Katalonjë ndikoi për mirë, tashmë ka më shumë optimizëm. Skuadra dhe makina kanë bërë shumë progres, ka një energji ndryshe në bokse. Tani e dimë mirë pozicionin tonë dhe se ku duam të arrijmë, po punojmë fort të gjithë. Ende nuk e dimë nëse pista e Gilles-Villeneuve përshtatet me makinën tonë, duhet marrë parasysh edhe moti që mund të dhurojë të papritura, megjithatë besojmë te një rezultat pozitiv”, u shpreh ai.
Por pavarësisht përmirësimeve të Mercedes, beteja për titullin për pilot apo skuderi, duket se për këtë sezon është përcaktuar.
Red Bull kryeson tabelën me 287 pikë, e ndjekur nga Mercedes me 152 të tilla.
Ndërsa Max Verstappen duket se është thjesht i parritshëm në krye të rënditjes për pilotë me 170 pikë, duke pasur një deference prej 53 pikësh nga shoku i tij i skuadrës, Sergio Perez.
Ndërsa disa herë kampionët e botës, Fernando Alonso dhe Lewis Hamilton renditen në vend të tretë dhe të katërt me 99 dhe 87 pikë.



