Sonte në 20:45 Shqipëria përballë Moldavisë/ Kuqezinjtë vetëm për 3 pikë në debutimin e Sylvinho-s në “shtëpi”

Sonte në orën 20:45 Shqipëria sfidon Moldavinë në duelin e dytë të grupit E, i vlefshëm për fazën eleminartore Euro 2024 ku skuadra kuqezi synon të rikthehet pas 8 viteve.

Në një stadium pothuajse të mbushur dhe me debutimin e trajnerit Sylvinho përpara tifozëve të tij, Kombëtarja synon të dalë me 3 pikë ndaj një rivali më modest që gjithsesi e ka surprizuar Çekinë në muajin mars.

Me treshen e sulmit Cikalleshi-Uzuni-Asani si njerëzit më në formë për repartin e avancuar por edhe me zgjedhjet e dyta Seferi, Muçi, Mehmeti apo Sadiku, trajneri Sylvinho shpreson që kjo sfidë të zgjidhet sa më shpejt për të mos rritur presionin me kalimin e minutave.

Trajneri në konferencat e shtypit është treguar i kujdesshëm duke vënë theksin në rëndësinë që ka një sfidë e tijllë dhe sipas tij duhet shikuar e trajtuar si të gjitha ndeshjet deri në fund. Ai ka premtuar një skuadër agresive dhe të gjithë në kërkim të golit ndërsa në mesfushë pritet të rreshtojë Ramadanin, Baren e Bajramin të mbështetur nga Hysaj e Mitaj në krahët e mbrojtjes dhe Gjimshiti dhe Ismajli në mbrojtje.

Braziliani ka refuzuar të flasë për skema edhe pse me të tilla ka punuar shumë gjatë 10 ditëve të fundit sepse në një përballje të tillë ku rivali mund të mbyllen në gjysmëfushën e tij, rëndësi do të marrë çdo detaj i vogël.

Skuadra i ka të gjitha letrat në rregull për të synuar një 3 pikësh që do të fshinte zhgënjimin e humbjes së parë me Poloninë, pavarësisht volumit të madh të lojës të krijuar në Varshavë. Paralelisht në të njëjtën orë do të zbresë në fushë edhe Rekia që sfidon në transfertë Ishujt Faroe.