Personat me aftësi të kufizuar në Durrës protestojnë për rampa: Bashkia nuk ka bërë punë të mirë!
Personat me aftësi të kufizuar në Durrës vijojnë të kenë vështirësi në qarkullim. Infrastruktura për ta mungon, ndërsa ata thonë se bashkia duhet të punojë seriozisht dhe të krijojë rampa që u mundësojnë atyre ngjitjen në trotuar. Ligji shqiptar parashikon qartë krijimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuar, por një gjë e tillë nuk zbarohet ende
Personat me aftësi të kufizuar vijojnë që të hasen në vështirësi në infrastrukturë ne Shqipëri.
Flamur Bala nga Durrësi denoncon neglizhencën e institucionit të drejtuar nga Emirjana Sako.
Sipas tij, mungesa e rampave në rrugë është problemi kryesor.
"Është një gjë shumë e thjeshtë që zgjidhet, mjafton vullneti i kryetares së bashkisë apo i inxhinierëve të punimeve në qytetin e Durrësit dhe kjo gjë mbarohet me vullnet të pastër," tha ai.
Vështirësia qëndron edhe në stacionet dhe autobusët lokalë.
"Bashkia nuk ka parkim për njerëzit me aftësi ndryshe, mos të flasim për ashensorë apo rampa," tha ai.
Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Nisur nga ratifikimi i Konventës së OKB, qeveria shqiptare ka miratuar një sërë Vendimesh të Këshillit të Ministrave por nga kjo kanë dalë edhe ligje specifike, ku u garantohet personave me aftësi të kufizuar aksesi në infrastrukturë dhe në shërbimet publike por këto nisma duket se kanë mbetur vetëm në letër.