"Renditja e gjimnazeve çdo 3 vite", Mehmeti: Ka diskriminim, një shkollë në Has nuk është njësoj si një në Tiranë

Ministria e Arsimit ka publikuar një udhëzim me 12 kritere mbi të cilat do të bëhet një herë në tre vjet renditja e gjimnazeve.

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti në një lidhje për Ora News deklaroi se një gjë e tillë mund të ndikonte në përmirësimin e sistemit, megjithatë klasifikimi do të diskrimininte gjimnazet, pasi infrastruktura dhe kushtet nuk janë njëlloj.

"Një gjë e tillë mund të sjellë përmirësimin e arsimit, por mund të sjellë edhe diskriminim, për faktin se nuk e di nga është marrë ky model një herë në tre vjet. Si do të renditen gjimnazet: në bazë të numrit që kanë apo në bazë të arritjeve që kanë?

Nuk besoj se një gjimnaz në Has apo Konispol do të jetë njësoj me një gjimnaz në tiranë për 1001 arsye. E para sepse ne nuk i kemi siguruar të gjithë infrastrukturën e barabartë. Nuk kemi të njëjtit mësimdhënës me përgatitje të njëjtë profesional," tha ai.