PS kërkon të hetohet Monika Kryemadhi

Partia Socialiste i ka bërë sërish thirrje drejtësisë të hetojë deputeten Monika Kryemadhi për lidhjet e saj të supozuara me oligarkët rusë.

Përmes një deklarate për media, deputeti Petro Koçi ka thënë se sipas dokumenteve që kanë publikuar mediat, Kryemadhi rezulton se ka marrë divident nga bizneset që ajo ka me oligarkët rusë.

Ai tha se drejtësia duhet ta hetojë Kryemadhin për pastrim parash, fshehje pasurie por edhe për raportet e interesit apo biznesit që Kryemadhi ka me rusët.

Sipas tij, Kryemadhi duhet të sqarojë se në çfarë lloj biznesi është përfshirë ajo me rusët dhe a është ajo aksionere me oligarkë e politikanë rusë në këto kompani offshore.

Pjesë nga deklarata e deputetit Petro Koçi:

Oligarkët rusë kanë shtrirë duart në vendimmarje publike, nëpërmjet financimesh për parti politike dhe në këtë rast për deputetë. Dokumentet e publikuara nga media, flasin për përfshirjen e Monika Kryemadhit në marrëdhënie biznesi me oligarkinë ruse. Në një nga faturat e transfertave bankare, pasqyrohet deputetja Kryemadhi të ketë marrë para në formë dividenti nga kompani offshore të rusëve, përderisa ka marrë dividentin, Kryemadhi duhet të sqarojë se në çfarë lloj biznesi është përfshirë ajo me rusët. A është ajo aksionere me oligarkë e politikanë rusë në këto kompani offshore? Çfarë u ka premtuar ajo rusëve në këmbim të këtij biznesi fitimprurrës edhe për të? Si mundet që një ligjvënëse e Kuvendit të Shqipërisë të përfshihet në marrëdhënie biznesi me oligrakinë ruse, paratë e së cilës po mbajnë në këmbë regjimin gjakatar të Putinit.

Si mund të bëjë binzes me rusët bashkëshortja e ish-Presidentit të Republikës, të një vendi me një vokacion të palëkundur euroatlantik. Pse i fshihet llogaridhënies zonja Kryemadhi për këto raportime implikuese? Çdo politikan dhe zyrtar i këtij vendi ka detyrimin ligjor që të deklarojë çdo qindarkë të ardhurash, për këto shuma sidomos Kryemadhi duhet të deklarohej sepse nuk i ka deklaruar dot kurrë. Taktika e sulmeve mbi mediat denoncuese nuk është gomone shpëtimit. Ndërkohë që deputetja Kryemadhi gjen si rrugëdalje nga ky skandal vetëm kërcënime dhe shantazhe ndaj mediave. PS i bën thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë rastin me ekzigjencë të palëkundur. Drejtësia do të duhet të hetojë dhe të dalë mbi një përfundim për akuzat që media ngre për mosdeklarim, pastrim parash, dhe fshehje të pasurisë, e mbi të gjitha për raportet e interesit apo biznesit të Kryemadhit me rusët, që nuk janë e nuk mund të jenë kurrë interesat e Shqipërisë.