Përfaqësuesi i Bankës Botërore: Partneritet i ri me Shqipërinë, për vende më të mira pune

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në zbatimin e projekteve të ndryshme me ndikim në ekonominë e vendit.

Ai dha lajmin për kuadrin e ri të partneritetit që do ndihmojë vendin të rimëkëmbet shpejt dhe të transformohet në një ekonomi më të fuqishme, më gjithëpërfshirëse, me aftësi ripërtëritëse dhe më të gjelbër.

Salinas u shpreh se programi i ri 4-vjeçar i bashkëpunimit të BB me qeverinë shqiptare mbështetet në tre shtylla kryesore, më shumë dhe vende më të mira pune, përdorim më i mirë i kapitalit njerëzor, dhe rritje e aftësisë përballuese dhe ripërtëritëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të llojeve të tjera.

“BB angazhohet që në 4-5 vitet në vijim, të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës për popullsinë shqiptare sidomos për rininë dhe gratë. Në të ardhmen sfida jonë është të krijojmë vende më të mira puna. Të krijojmë stimuj që njerëzit të punojnë këtu. Shtylla e dytë tek kapitali njerëzor. Siç e dimë të gjithë ne jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria por mund të forcojmë këtu kapitalin njerëzor, duke përmirësuar arsimin shëndetësinë mbrojtjen sociale. Është arritur shumë në këtë drejtim. Mendojmë se ka mundësi për të bërë më shumë në të ardhmen. Së treti shtylla e tretë përqendrohet tek rezistenca tek qëndrueshmëria. Duhet të rrisim rezistencën për të ulur ndikimin e disa prej këtyre ngjarjeve në të ardhmen”, tha ai.

Salinas theksoi se, kuadri i ri për partneritetin i vë në dispozicion Shqipërisë 900 milionë euro.