Tritoli “pa zot” në Durrës, 8 persona pyeten për hedhjen në erë të makinës së Ali Mustafës

Hedhja në erë e makinës së Aldi Mustafës në Durrës mesditën e së hënës, mbetet ende pa një autor. 8 persona janë pyetur së bashku me vetë Mustafën, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Makina u hodh në erë në mes të rrugës teksa ishte në lëvizje të hënën.

Atentati me tritol ndaj Aldi Mustafës të Hënën në Shkozet të Durrësit mbetet ende pa autor.

Burimet saktësojnë se si pistë kryesore policia ka ngjarjet ku ai mund të jetë përfshirë dhe lidhjet që ka patur me eksponentë të krimit në qytetin bregdetar.

Të paktën 8 persona të njohur dhe familjarë të Aldi Mustafës janë pyetur për ngjarjen, por deri në këto moment asnjë nuk ka dhënë informacion të vlefshëm për hetimet.

As dëshmia e vetë Aldi Mustafën nuk ka qenë domethënëse për zbardhjen e ngjarjes. Mustafa ka mohuar të jetë përfshirë në ndonjë konflikt.

"Nuk kam asnjë konflikt. Mendoj se ngjarja ka ndodhur për shkak se një vit e gjysëm më parë u arrestova, dhe mediat në atë kohë raportuan "u kap krimineli, u kap vrasësi me pagesë". Kjo mbase ka nxitur të organizohet ngjarja me tritol, normalisht, duke përmendur emra dhe fakte të paqena, më kanë krijuar shumë probleme. Mendoj se nga kjo është nxitur ngjarja."

Lënda plasëse e vendosur në gomën e pasme shpërthej mesditën e së hënës në Durrës dhe dyshohet se ishte e montuar me telekomandë dhe të ketë qenë e kontrolluar.

Paraprakisht, dyshohet se autorët, apo porositësit, kanë patur për objektiv dhënie mesazhi, dhe jo të shkaktonin viktima. Gjithashtu, ka dyshime se shënjestra ka qenë në vëzhgim prej tyre.

Në momentin e shpërthimit makina ka qenë duke lëvizur me shpejtësi minimale dhe nëse automjeti do kishte qenë duke lëvizur me shpejtësi më të lartë, thonë burime nga grupi hetimor, do të krijoheshin kushte edhe të një aksidenti me pasoja përveç atyre nga shpërthimi.