Kushi: Kërkimin shkencor sfida shqiptare, duhet të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik

Në konferencën kombëtare të bashkëpunimit universitet-biznes ministrja e arsimit dhe sportit shprehet se për këtë është gati dhe skema e financimit. 

Prej 6 vitesh Shqipëria është renditur e fundit në rajon sa i përket këtyre programeve.

"Gjatë programit të kalaur të BE-së vetëm 55 projekte kërkimore shekncore kemi sjellë në vend."

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi theksoi se të gjithë aktorët, institucionet arsimore, industria dhe biznesi, kanë secila një rol të rëndësishëm për zhvillimin e kërkimit shkencor, i cili duhet të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të Shqipërisë.

Kushi theksoi se, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka si mision një arsim cilësor, diploma me vlerë, ndërkombëtarizimin dhe rritjen e shkëmbimeve me universitetet më prestigjioze.

“Ne thjesht nuk mund të bëjmë përparim pa bashkëpunimin përtej disiplinave, përtej institucioneve që përfaqësojmë, madje edhe përtej kufijve. Unë besoj se në fushën e kërkimit shkencor ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë aktorët, edhe në interes të vetë shkencës”, u shpreh ministrja.

Ajo shtoi se bashkëpunimi universitet-biznes është një çështje e integrimit në BE dhe një nga parimet e Zonës Evropiane të Kërkimit.

“Vizioni ynë është që kërkimi shkencor të jetë një ‘veprimtari e hapur e konceptuar si një e mirë publike’. Çdo qytetar në Shqipëri duhet të njohë dhe ndjejë impaktin e kërkimit shkencor në jetën e tij. Dhe ne duhet të përdorim ekselencën tonë të shkencës dhe kërkimit për të promovuar vlerat, por edhe për të zgjidhur problemet që kemi, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, si dhe për të inkurajuar njerëzit ta vizitojnë, studiojnë, punojnë dhe investojnë këtu”, nënvizoi Kushi.