Rama: BB, 900 milionë dollarë për programin e zhvillimit në 4 vitet e ardhshme

Banka botërore në Shqipëri ka prezantuar kontratën 5 vjeçare me qeverinë Rama. Për zbatimin e tre synimeve për vendin tonë do të jenë në dispozicion 900 milion euro.

Qëllimi do të jetë krijimi vendeve të punës, përmirësim i shërbimeve publike dhe infrastruktura.

“Kemi marrë në dispozicion 900 milionë dollarë, të cilat do të shpërndahen sipas një sërë pikash. Por ajo që dua të them është se jemi në kushtet e një faze të re në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe kemi hedhur të gjitha bazat e nevojshme për të bërë një kapërcim tjetër në funksion të objektivave të shpallura për vizionin Shqipëria 2030”, tha Rama.

Në krah të majtë të përfaqësuesit të Bankës Botërore Emanuel Salinas, kryeministri premtoi se rritja e pagave vjen nga të ardhurat ndaj borxhi publik do të ulet.

“Në memorien time është procesi më i thelluar në çdo sektor dhe detaj dhe procesi më jo konvencional që kemi bërë për të adresuar të gjitha ato pika të jetës sociale e ekonomike të vendit që do të stimulojnë energji të reja zhvilluese”, tha ai.

Jashtë vëmendjes së gazetarëve nuk mbetën pyetjet mbi hetimin e incineratorëve ku janë përfshirë dhe ministrat.

Edhe një herë Rama zgjodhi të përgjigjet me reformën në drejtësi, por edhe me pastrimin e medieve.

Rama: Pyetja ishte mbresëlënëse, ti nuk flet për qeverisje të korruptuar, sepse detyra numër 1 e atij që ka një penë është të mos shtrembërojë të vërtetën. Ti flet për korrupsionin që nuk është një fenomen pjesor, por merret me të gjithë sektorët e jetës, të gjitha pushtetet, pushtetin ekzekutiv, gjyqësor dhe median që është një vatër korrupsioni që duhet të pastrohet jo nga qeveria, por nga autorregullimi. Media është modeli i korrupsionit kriminal që bazohet te shantazhimi, gjobëvënia e bizneseve, gjobëvënia për përfitime të padeklaruara sepse janë kriminale.

Sa i përket emigracionit, si Rama dhe përfaqësuesi i BB sollën në vëmendje fenomenin global por dhe domosdoshmërinë e reformave.