Vizë unike për Ballkanin/Organizata Botërore e Turizmit propozon ide për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor
Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të zhvillojnë turizmin e tyre nëse do të ofrojnë një vizë të përbashkët udhëtimi për turistët. Kjo ide u hodh nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit dhe u mbështet edhe nga ministrja Mirela Kumbaro.
Një vizë e përbashkët turistike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo ishte ideja që hodhi sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit këtë të martë në forumin që po mbahet në Tiranë.
Kjo leje udhëtimi që do tu jap mundësi vizitorëve të lëvizin lirisht në vendet e Ballkanit, synon të tërheqë turistët nga vendet e mëdha si Kina dhe SHBA.
"Të gjithë së bashku, bashkë me Shqipërinë, duhet të krijojmë një destinacion turistik me emrin "Vizitoni Ballkanin". Duam që brenda 4-5 ditësh të vizitojmë 4-5 shtete. Së dyti është politika e vizave që të kemi një vizë, që turisti të ketë mundësin që të vizitojë këto 4-5 shtete."
Edhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, duke e vlerësuar këtë ide, theksoi se në këtë mënyrë mund të mbahen turistët më gjatë në Ballkan.
"Ne nuk e shohim njëri-tjetrin si konkurent, kjo është qasja jonë. Por e shohim si plotësues të një tregu që ta mbajë më gjatë turistin që vjen nga destinacionet e largëta në Ballkan por edhe të shpenzojë më shumë."
Investimet ishin një tjetër temë që u diskutua në këtë takim ndërkombëtar.
Mohamedf Alabar, i cili do të investojë në portin e Durrësit, e krahasoi Shqipërinë me Dubain e viteve ‘90 dhe tha se çdo akuzë ndaj tij do të rrëzohet kur projekti të ketë përfunduar.
"Thoshin është false, e rreme, nuk do të funksionojë. Ishim nga Lindja e Mesme, vetëm lajme të këqija kishte nga Lindja e Mesme dhe ato transmetoheshin në CNN dhe BBC, por ne qëndruam të vendosur. Kjo është pjesërisht në Shqipëri, por absolutisht çdo vend ka një histori negative.
Ne në Lindjen e Mesme kemi të gjithë historitë tona të shkuara të hidhura, ishim mbretëria e kontrabandistëve, por evoluimi dhe ndryshimi vijon. Në Shqipëri kam parë malet, luginat e vijën bregdetare. Bukuria e vërtetë e Shqipërisë për mua janë malet e luginat. Kam 4 vite që endem rrugëve të Tiranës dhe Përmetit nuk shikoj gjë tjetër veç fytyra të buzëqeshura dhe të përulura".
Forumi ndërkombëtar i turizmit do të vijojë punimet edhe ditën e mërkurë ku do të diskutohet edhe me bizneset e përfshira në këtë sektor.
