Alarm në Pogradec/ I vihet GPS makinës së Eris Çekanit, u dyshua për tritol
Lëvizjet e këtij personi që shihni në këtë foto të maskuar, pranë dy makinave të parkuara ngriti fillimisht një alarm për atentat në Pogradec.
Policia thotë se u njoftua nga roja i sigurisë së Prokurorisë se në orën 03 00 të mëngjsit pa një person të shtrirë duke vendosur pako poshte dy automjeteve të parkuara pranë institucionit.
Blutë lokalë u vunë në alarm.
Pasi rrethuan zonën kërkuan nga Tirana ekspertët xhenierë me frikën se pakot e dyshimta mund të ishin eksploziv.
Por ajo që gjetën e bëri cështjen më misterioze.
Nuk bëhej fjalë për tritol, por për aparatura GPS që përdoren për monitorimin e lëvizjes së mjeteve ku vendosen.
Kur alarmi për atentat ra, pronari i makinave ndau dyshimet e tij me grupin hetimor.
Eris Çekani, mësohet se ka deklaruar se dyshimi i vetëm i tij lidhet me Brian dhe Sindi Syzo dhe Mario Xhangolli me të cilët ai ka pasur konflikt të hapur prej kohësh.
Dy vëllezërit Syzo janë shpallur në kërkim për një ngjarje të ndodhur tre viteve më parë në një hotel në Tushemisht të Pogradecit.
Por në një reagim për Ora News, Brian Syzo mohoi përfshirjen në këtë ngjarjen, duke theksuar se është e disata herë që emri I tij përfshihet me të padrejtë.
Eris Çekani, rezulton të jetë përfshirë në ngjarjen e një muaji më parë në konfliktin me armë mes dy grupeve në një ndjekje me makina në rrugën Metalurgjikut në Elbasan.
Konfliktet e tij janë pista kryesore e policisë në zbardhjen e ngjarjes, pasi identifikimi i autorit që i vuri përgjues poshtë makinave, përmes Pamjeve të kamerave të sigurisë është e vështirë.
