1 në 100 fëmijë me autizëm/ Në Shqipëri mungon mbështetja nga shteti, shoqëria indiferente dhe paragjykuese

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë 1 në 100 fëmijë në mbarë botën ka autizëm.
Në Shqipëri nënat e fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit tregojnë se përballen me vështirësi të mëdha. Nga shteti mungon mbështetja financiare ndërsa shoqëria shpesh herë është indiferente dhe paragjykuese.

Bardhën dhe Donikën i bën bashkë i njëjti fat.Janë nëna të fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit.

"Unë e kam kuptuar kur ishte dy vjeç. U mërzitëm pak.
Vitet e para janë shumë të vështira, gjërat nuk njiheshin mirë. Nuk e përballonim dot ta pranonim," thonë ata.

Djemtë e tyre, Elsi dhe Fladorenti kanë qenë gëzim i parë në familje.

Tregojnë se rritja e tyre i ka përballur me shumë sfida por i ka bërë të forta.

"Inkurajon veten që ka dhe më keq, ky është fati im. Fajin s'na e ka kush.
Ishin të dyja, brazohej ana ekonomike dhe shpirtërore që ishin përtokë," thonë ato.

Djemtë, të moshave 15 dhe 28 vjeç vijojnë ende terapitë.

Ndjekja e tyre kushton shumë ndërsa nga shteti përfitojnë vetëm 20 mijë lekë në muaj.

"Do në muaj 35 mijë lekë, po ta çosh rregullisht. Ne e çojmë tre ditë, si të kemi buxhetin.
Ne s'kishim të hanim bukë, jo më…dhe se çonim dot. Do vija nga rrethet këtu, të bëja terapi të ikja. Nuk i kisha kushtet," thonë ato.

Por më shumë se pamundësia financiare i rëndon indiferenca, e hera herës edhe paragjykimi që ndeshin ndër njerëz.

"Shoqëria nuk të afron shumë.

E gjykon veten se thotë s'më kuptojnë të tjerët, nuk më pranojnë," thonë ato.

Me shtiza e grep kanë bërë këto punime dore ku bashkë me fijet kanë thurur trishtimin, durimin por edhe çastet e lumtura të gjithë këtyre viteve.

Janë bërë pjesë e një panairi që synon ndërgjegjësim për fëmijët që vuajnë nga autizmi.

"Them prindërve sidomos nënave ta pranojnë këtë siklet që mund ti bie," thotë ajo.
Kiti, një prej organizatoreve tregon se të ardhurat e panairit do të shkojnë pikërisht për këto familje.

"Është një aktivitet që bëhet çdo vit, Është marrë nga nisma "Lumturo Dhimbjen". Mbështetja nuk është vetëm financiare por dhe emocionale dhe në forma të tjera që këta fëmijë të ndjehen sa më të përfshirë," tha ajo.

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë 1 në 100 fëmijë vuan nga autizmi.