Monumentet që po shkatërrohen/ Kisha 400-vjeçare në Saraqinisht të Gjirokastrës drejt rrënimit
Me një histori mbi 400 vjeçare kisha e Shënkollit në fshatin Saraqinisht të Gjirokastrës është duke u rrënuar totalisht. Pavarësisht se ky kult fetar gëzon statusin monument kulture, ende duket se ndërhyrja nga instancat nuk po kryhet.
Kjo është Kisha e Shënkollit në Saraqinisht të Gjirokastrës.
Është një monument kulture dhe duhet të ishte e mbrojtur nga shteti.
Por çatia e rënë, dhe amortizimi i saj tregojnë se jo vetëm shteti nuk është duke u kujdesur për të, por nga harta e monumenteve të mbrojtura kjo kishë mund të fshihet shumë shpejt.
Ikonistasi, hajati, afresket murale, por edhe infrastruktura të këtij kulti mbi 400 vjeçar janë shkatërruar tanimë.
Banorët e zonës që e kanë ruajtur prej dekadash bëjnë thirrje për ndërhyrje.
"Kisha e Shënkollit është monument kulture, që të mos vërë dorën njeri është turp i botës. Ka 4-5 vite që ka rënë çatia. Çfarë bie jashtë, bie brënda. Ka rrezik të bie e gjithë çatia tani. Kemi bërë kërkesa kudo dhe asnjeri s'ka vënë dorë. Edhe në Ministrinë e Kulturës në Tiranë kemi bërë dhe asnjë se vë ujin në zjarr," tha ai.
Kjo zonë është mjaft e frekuentuar nga turistët e huaj, pasi ndodhet pranë qytetit antik të Antigonesë.
Kisha e Shën Kollit është shpallur monument kulture në fund të viteve 70 ndërsa një ndërhyrje urgjente është imediate.