Ndërpriten punimet në Velipojë-Shëngjin, shkak pronësia, rruga e rrezikshme për banorët

Punimet që nisën disa muaj më parë janë ndërprerë dhe në rrugën e re që do të lidh Velipojën me Shëngjinin asgjë nuk ka ndryshuar.

Sikur të mos mjaftonte ndërprerja e punës, traseja e rrugës ka nisur të shembet në segmente të caktuara duke u kthyer në rrezik për banorët që kalojnë në të.

Luc Toli kryeplaku i fshatit Rrjoll tregon se për rastin në fjalë firma është njoftuar por deri më tani nuk ka asnjë zgjidhje.

Arsyet që nuk punohet në terren nuk di ti thotë askush, por burime për Ora News saktësojnë se shkak janë problemet e pronësisë të dala gjatë zbatimit të projektit.

Përveçse një rruge panoramike ndërtimi i Segmentit Shëngjin-Velipojë shkurton distancën prej rreth 65 km në 15 km, kohën e udhëtimit nga rreth 1 ore e gjysëm në vetëm 20 minuta dhe shmang trafikun e rrugës Lezhë –  Shkodër.

Me përfundimin e tij, ky aks pritet që ti japë një zhvillim cilësor turizmit por edhe më gjerë, duke sjellë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorët socio-ekonomik të këtyre zonave.