Aksident pranë Pallatit të Brigadave, përmbyset urbani i Krrabës, plagosen 7 persona

Rikthehet alarmi për sigurinë e mjeteve të transportit Urban në Tiranë. Një autobus i linjës së Krrabës me pasagjerë u përmbys në rrugën e Elbasanit, duke lënë 7 persona të plagosur. Shkak i aksidentit të rëndë dyshohet humbja e kontrollit të mjetit.

Ky urban i që vinte nga fshati Krrabë nuk i çoi në destinacion udhëtarët, por i la të plagosur pasi mjeti përfundoi i përmbysur në Rrugën e Elbasanit.

Në zbritje të rrugës, shoferi 42-vjeçar dyshohet se humbi kontrollin e autobusit.

Autobusi mori përpara dhe mjete të tjera të cilat pas goditjes nga pas po ashtu përfunduan jashtë rrugës.

Urbani vetë përfundoi i përmbysur siç tregojnë këto pamje.

Të paktën 7 persona mbetën të plagosur për shkak të aksidentit masive.

Ata u transportuan me urgjencë në Spitalin e Traumës ku burime bëjnë me dije se janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia njoftoi se fill pas aksidentit që u shënua rreth orës 15 e 45, drejtuesi I urbanit i është nënshtruar testit të alkoolit dhe ka rezultuar i pastër.

Një grup hetimor i ngritur për këtë ngjarje pritet të zbardhë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit dhe për këtë pritet që veç dëshmive të ndihmojë dhe ekspertiza për gjendjen teknike të autobusit.

Aksidentet ku përfshihen mjetet e transportit publik janë bërë të zakonshme në kryeqytet.

Një muaj më parë një autobus u përplas me disa mjete pranë Tajvanit në Tiranë duke plagosur 9 persona.

Ekspertët e sigurisë në vazhdimësi kanë kërkuar hetime të thelluara për shkaqet e aksidenteve të autobusëve urbane dhe kompanive që i kanë në përdorim, pasi ngjarje të tilla kanë rrezikuar jetën e qytetarëve të pafajshëm.