Tjetër aksident në vend, tre të plagosur në zonën e Plepave, Durrës
Një person ka humbur jetën dhe 4 të tjerë u lënduan si pasojë e dy aksidenteve që ndodhën paraditen e të dielës në vend.
Në orët e para të mëngjesit, në aksin Laç-Mamurras, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit një automjet doli nga rruga duke përfunduar i përmbysur në një parcelë.
Për pasojë humbi jetën drejtuesi i mjetit i identifikuar si Alban Miloti dhe mbeti i lënduar Elvis Doçi.
Ky i fundit u transportua me urgjencë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht si shkak i aksidentit dyshohet shpejtësia tej normave të lejuara.
Ndërkohë në Durrës, në lagjen 13 të qytetit në vendin e quajtur mbikalimi i Plepave rreth orës 9 e 45 minuta të së dielës u përplasën dy automjete.
Tre persona mbetën të lënduar.
Ata ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Një grup hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
