Në pritje të rrugës/ Aksi rrugor Krane-Qafë Botë nuk është shtruar ende me asfalt

Banorët e Konispolit dhe Finiqit kanë 8 muaj që presin shtrimin e aksit Krane-Qafë Botë me asfalt. Rruga është gërryer dhe është lënë pa shtruar duke u shkaktuar dëme të mëdha në automjete.

Ka të paktën 8 muaj që aksi Kranë-Qafë Botë në jug të vendit është në këtë gjendje.

Rruga është gërryer në disa segmente dhe ende nuk është shtruar me asfalt.

Banorë të Konispolit dhe Finiqit thonë se ky aks u është kthyer në makth.

"Banorët ankohen të gjithë. Ne që shkojmë në punë e kalojmë çdo ditë e dimë se kemi kosto tek automjetet," tha një prej tyre.

Aty detyrohen të kalojnë përditë.

Ngrejnë shqetësimin se mjetet po u dëmtohen për shkak të gjendjes së rrugës.

"Kosto ka. Që kur ka filluar rruga e kanë hequr asfaltin dhe e kanë lënë kështu. Ka gati 8 muaj. Nuk interesohet njeri," tha një banor.

Thonë se punimet janë ndërprerë prej kohësh dhe nuk e dinë ende se kur do të shtrohet me asfalt.

"Duam që të shpejtohet e tgë  bëhet sa më shpejt. Jo të hidhet asfalti tani që jemi në prag votimesh por të bëhet një cilësi e mirë," tha një banor.

Mbi përfundimin e punimeve kanë kërkuar edhe informacion pranë institucioneve por kanë mbetur pa përgjigje.