Ilirjan Dalani, skulptori në Sarandë që tërheq edhe vëmendjen e të huajve, mëson edhe fëmijët
Lindi me pasionin për artin.
E skaliti e i dha formën që dëshironte edhe në Selanik ku emigroi për 5 vite.
Por u kthye, siç thotë ai, sepse guri i rëndë peshon në vendin e vet.
Ilirjan Dalani në Sarandë ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e qytetarëve, por edhe të turistëve të cilët i marrin me vete punimet e tij.
“Bëj atë që kërkojnë ata. Mermeri është i rëndë, sepse po të bëj diçka të madhe nuk e marrin dot në avion. Vlerësimi ndjehet në vendin tënd.”
Zhurma e çekanit mbi mermer e ka bërë kaq të dashur për fëmijët sa prej 8 vitesh u mëson si të skalitin.
“Kjo është një muzikë e veçantë. Një fëmijë që do dhe i pëlqen vjen dhe afrohet vetë.”
Punimet nuk i emërton, pasi e bukura sipas tij ka si qëllim jo të identifikohet por të shijohet.
“Vetëm sporti dhe arti të bëjnë të kthesh sytë. Një artist dhe sportist të bën të kthesh sytë sa askush sepse është e bukura.”
Këtë pasion ia ka trashëguar edhe mbesës së tij 11-vjeçare, e cila i qëndron besnike këshillave të gjyshit.
