Kanceri i zorrës së trashë, ulet mosha e të prekurve, edhe 40-vjeçarët të rrezikuar
Kanceri në zorrën e trashë nuk kërcënon më vetëm personat mbi 50 vjeç, por mosha është ulur.
Mjekët thonë se kontrollet duhet të behën nga të gjithë ata që janë mbi 40 vjeç për ti paraprirë rrezikut për jetën.
Mosha e pacientëve që vuajnë nga kanceri kolorektal është ulur.
Mjeku gastrohepatolog Hysni Dede thotë se gjithmonë e më shumë po kërkohet që të vizitat të kryhen nga persona mbi 40 vjeç.
“Është vënë re se është ulur edhe mosha e këtij kanceri. Po diskutohet që të ulin moshën e srceening, kur është 50 vjeç dhe të bëhet 40 vjeç.”
Megjithëse nuk jep shenja në fazën e hershme te tij, personat që janë të prekur nga tumori i zorrës së trashë shfaqin disa probleme si rënia e pashpjegueshme nga pesha apo edhe probleme me tretjen.
“Kur patologjia ka avancuar atëherë shenjat bëhet më të dukshme. Zakonisht ka diarre ose konstipacion, ose defekim me gjak.”
Konsumimi i një diete me fibra është një mënyrë parandaluese e kësaj sëmundjeje. Megjithatë të rrezikuar janë ata që kanë pasur një histori të tillë në familje.
“Ndikimi ka dieta, një dietë me mish të kuq dhe yndyra si dhe faktorët gjenetikë.”
Muaji mars i kushtohet pikërisht kësaj sëmundje të rrezikshme. Nga mjekët ekspert kërkohen më shumë kontrolle për të parandaluar, kapur në kohë dhe kuruar kancerin në zorrën e trashë.
