A po rrezikon PD zgjedhjet? Skadon afati për plotësimin e dokumentacionit në KQZ, çështja në KAS
Kërkesën e Sali Berishës për tu regjistruar në zgjedhjet e 14 majit do të ketë si relator kryesor ish ministrin e qeverisë së tij Ilir Rusmali.
Ka qenë shorti i hedhur në KQZ për çështjet e mbërritura në KAS që i ka dhënë të drejtën e kryesimit të kësaj dosje.
Nga ana tjetër prapësimi që Enkelejd Alibeaj i ka bërë kërkesës së kryekomisionerit Ilirian Celibashi për plotësim dokumentesh do të shqyrtohet prej Koli Beles.
Ky i fundit më parë ka mbajtur detyrën e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së energjetikës, por edhe të nënsekretarit për çështjes zgjedhore të partisë socialiste.
Tashmë përmes shortit në KAS ai do të vendosë nëse kundërshtarët e Berishës brenda PD do të duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim me firmën e Lulzim Bashës, apo dorëheqja e këtij të fundit do të jetë e mjaftueshme për të vijuar procedurat
Të enjten Ilirian Celibashi I ka dhënë të drejtën Alibeajt për tu regjistruar, por më parë ai ka kërkuar që kërkesa të firmoset prej vetë Bashës, ndërsa sa i përket mbështetësve të Berishës ai ka rrëzuar pretendimin duke iu referuar regjistrit të partive politike në gjykatën e shkallës së parë.
Për këtë çështje Berisha ka deklaruar se do të jetë pjesë e zgjedhjeve, por tashmë përmes koalicionit.

