Inzaghi bën me faj veten për humbjen e tetë të Interit, tifozët i kërkojnë largimin

Simone Inzaghi është i drejtëpërdrejtë në reagimin e tij pas humbjes së tetë të Interit në fushën e Spezias. Trajneri zikaltër e pranon se në këtë mes ka diçka që nuk shkon por shton se skuadra duhet të kthejë faqe e të mendojë për sfidën e kthimit në Porto të martën në mbrëmje. 

"Një humbje kështu është e dhimbshme. Erdhi ndryshe nga humbjet e tjera të sezonit. Dhamë gjithçka në fushë e ndoshta duhej të ishim më cinikë përpara portës.  Në pjesën e parë duhej të kishim shënuar por futbolli është i pamëshirshëm dhe nuk të fal".

Në vijim, trajneri tha se merr përsipër të gjitha përgjegjësitë pasi lojtarët dhanë maksimumin në fushën e lojës dhe nuk kanë asnjë faj.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, tifozët janë shprehur të revoltuar për këtë situatë, duke kërkuar edhe largimin e trajnerit të cilin e konsiderojnë fajtor për sezonin gri të Interit në kampionat.