VIDEO/ Marash Kumbulla ngre në qiell 65 mijë tifozë, mbrojtësi kuqezi shënon në Europa League
Roma mundi në shtëpi 2-0 Real Sociedad për 1/8-at e Europa League me një gol të mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare, Marash Kumbulla.
Një gol shumë i rëndësishëm për shtatlartin shqiptar i cili arriti të vendoste fizikun e tij përballë mbrojtësve spanjollë të cilët i kapi në kundërkohë pas goditjes së këndit të ekzekutuar nga Paulo Dybala.
Pasi shënoi golin e dytë që ishte edhe rrjeta e sigurisë për skuadrën e Jose Mourinhos, Kumbulla festoi duke e futur topin nën fanellë, për t’ia dedikuar të të fejuarës së tij e cila është shtatzanë.
Kumbulla hyri në fushën e lojës në minutën e 46 pasi zëvendësoi Diego Llorente-n. Kjo është ndeshja e dytë e mbrojtësit me origjinë shkodrane këtë sezon në Europa League me fanellën e klubit verdhekuq pasoi Jose Mourinho vazhdon të mos i besojë një fanellë titullari.
Golin e parë të ndeshjes e shënoi El Sharawy në fillim të sfidës dhe tashmë në San Sebastian, skuadra italiane duhet thjesht të ruajë avantazhin për të siguruar kualifikimin në çerkfinale.
