"Obeziteti është sëmundje, të flasim më shumë", nutricionistja: Jo kujdes për trupin vetëm para plazhit, injoroni dietat online
Mbipesha shumë herë është cilësuar nga specialistët e shëndetit si armiku kryesor i shëndetit tonë. Një studim i fundit me të dhëna nga harta globale e obezitetit tregon se Shqipëria do të ketë një prevalencë shumë të lartë në 2035 ku 37% e të rriturve do të jenë mbipeshë.
Nutricionistja, Arlinda Garuci, e ftuar në "Jeto me Orën" thotë se këtë e sheh të lidhur edhe me ekonominë e dobët të vendit ku njerëzit janë të prirur të orientohen më shumë drejt produkteve të lira me bazë mielli.
"Ishte e pritshme, jemi të dytët pas Ukrainës. Si një vend ku ekonomia jonë nuk lulëzon njerëzit janë të prirur më shumë të konsumojnë produkte më të lira me bazë mielli, më pak proteina. Produktet e konfeksionuara që kanë edhe ato një kosto të lirë. Pa llogaritur që kujdesin ndaj vetes dhe peshës e kemi akoma stinor. Kjo bën që herë pas herë mbipesha kthehet, shifrat janë aty" tha ajo.
Politika për ta luftuar
OBSH ka vite që paralajmëron këto shifra në rritje për mbipeshën dhe obezitetin në gjithë Europën. Kur ata nuk po arrijnë dot ti rregullojnë këto politikia, sa mund ti rregullojmë ne? Çdo 4 mars është Dita Botërore e Obezitetit, më vjen shumë çudi që në vendin tonë kjo datë kalohet si një datë pa rëndësi. Për ditën e obezitetit ne nuk flasim. Duhet të flasim më shumë për obezitetin duke e trajtuar si sëmundje. Obeziteti nuk është thjesht një problem estetik por një akumulim më i lartë dhe më i madh i masës yndyrore në trupin tonë. Këtë nuk na e tregon syri ynë, se shikimi është relativ, por ka një tregues të masës trupore që është shkencor. Në bazë të saj kuptojmë nëse jemi në mbipeshë, obezitet, në cilën gradë. Në gjithë Europën po shikohet një rritje e madhe duke e vënë fokusin te kequshqyerja dhe jeta sedentare e popullatës.
Dietat ushqimore dhe ndërgjegjësimi
Jemi të ndërgjegjshëm kur duam. I vëmë objektiva vetes vetëm në periudha të caktuara të vitit. Kërkesa më e madhe për të pasur një regjim ushqimor të personalizuar apo trajtimn për dobësim, tonifikim është më shumë në periudhën e pranverës. Ndodh rrethi vicioz, mund të humbësh disa kg në këtë periudhë, në verë je me pushime dhe fillon justifikimi. Rivihen kilogramët, pastaj vjen dimri jo po viti i ri.l Heqim kilogram dhe marrim kilogram. Kjo bën që në një moment të duhur të jetës tonë metabolizmi nuk punon më se bllokohet prandaj dhe mbipesha nuk luftohet në këtë mënyrë. Nuk e luftojmë mbipeshën njëherë e mirë, por ose në sipërfaqe ose përkohësisht. Zgjedhjet nutricionale afatshkurtra nuk do ta na sjellin zgjidhje afatgjatë.
Si ndikon familja, shkolla dhe shoqëria
Kultura nutricionale fillon në tryezat familjare por edhe shoqëria ka të bëjë, e kam për fëmijët. Ka vështirësi dhe konfuzion për të pasur shembuj të mirë.
Cili është regjimi i duhur?
Në çdo fundvit bëhet gara e dietave. Për të gjashtin vit radhazi Dieta Mesdhetare fiton kupën e artë sepse nuk quhet tamam dietë por regjim ushqimor. Duhet një regjim që të përmbush me vlerat ushqyese që të duhen. Nuk duhet të jetë shumë e kushtueshme, kjo dietë ka produktet tona që përdorim. Ajo që ta bën të vështirë është se ka frekuencë të produkteve, mishin e kuq jo më shumë se dy herë në javë, tre herë në javë bishtajoret. Këshillohet për fëmijët, gratë shtatzëna.
Ushqimet që krijojnë obezitet
Yndyra që vjen nga ushqimet e shpejta dhe të skuqura dhe sheqeri industrial, i bardhë. Limitoni konsumin e sheqerit të bardhë, yndyrën, alkoolin. Rrisni konsumimin e perimeve, bishtajoreve dhe drithërave integralë. Duhet të bëjmë aktivitet të rregullt, jo stinor.
Aktiviteti fizik
Palestrat dhe Qendrat e Dobësimit janë plot në pranverë. E kemi stinor fatkeqësisht. Jemi popull që vdesim për justifikime, gjejmë justifikim për çdo gjë qoftë për ushqimin, aktivitetin fizik, jo po ishte koha, nuk ishte koha. Ne vetëm për kohën nuk mund të ankohemi se kemi shumë diell. Po me të njëjtën punë dhe kohë e gjejmë kohën pastaj se ka ardhur pranvera.
Mbipesha e trashëguar
Predispozicioni gjenetik ka një përqindje të lartë por edhe këtu është sa ne arrijmë ta luftojmë këtë pjesë apo të abuzojmë. Mund të mos kemi predispozicion të vuajmë nga mëlçia por nëse pijmë alkool gjatë gjithë kohës normal që predispozicioni gjenetik nuk ka çfarë të bëjë. Nëse kanë predispozicion gjenetik për mbipeshën duhen të jenë edhe më të kujdesshëm.
Si të luftojmë mbipeshën
Shmangni sa më shumë fast-foodet, ushqimet e konfeksionuara. Ti përmbahemi regjimit ushqimor mesdhetar, aktivitet fizik të paktën dy herë në javë. Jo vetëm ecje.
Dietat e portaleve
Janë një tjetër aspiratë e OBSH që ti heqin. Përveçse janë të dëmshme dhe të rrezikshme edhe ato kanë bërë të veten në rritjen e shifrave të mbipeshës sepse duke mos e luftuar mbipeshën por duke hequr kilogramët për pak kohë, duke e lodhur metabolizmin, pesha nuk humbet më pastaj sado që të mundohesh.
Dietat e personazheve të njohur
Janë dieta të dëmshme për organizmin, edhe nëse ndihmojnë në rënien e kilogramëve e bëjnë në mënyrë aq drastike saqë rimerren sërish. Nëse yndyra do shkrihej në tre ditë apo një javë nuk do ekzistonte fare mbipesha dhe obeziteti.
