U dëmtua nga tërmeti dhe nga depozitat, pallati në Vllahinë të Vlorës po rrezikon banorët

Një pallat në Vllahinë të Vlorë është dëmtuar që prej tërmetit të vitit 2019. Tarraca e objektit është çarë, ndërsa plasaritjet mund të shihen edhe brenda tij. Banorët thonë se ndihen të frikësuar, ndërsa apelojnë institucionet për të ndërhyrë.

Që prej tërmetit të nëntorit 2019 tarraca e një prej pallateve 4-katësh në fshatin Vllahinë të Vlorës rrezikon nga momenti në moment të bjerë.

Banorët e pallatit në fjalë tregojnë se depozitat e ujit që gjenden në të e kanë dëmtuar fillimisht si rjedhojë e lagështisë, por tërmeti i nëntorit bëri që suvaja e taracës së pallatit të bjerë, madje të pësojnë plasaritje edhe pjesët jashtë dhe brenda të apartamenteve.

"Disa herë na ka rënë mbi kokë. Rradhën e parë që ra tërmeti, jemi shumë të rrezikuar. Sa herë dal jashtë na bien copat.

Ai ka rënë nga tronditja, por kolona është larguar shumë," thanë banorët.

Banorët tregojnë se problemin e kanë trasmetuar edhe tek shtabi emergjencave civile në Selenicë i cili ka konstatuar problematikën reale, duke e paraqitur situatën të rrezikshme, por asgjë nuk është bërë deri më tani.

"Pati dëmtime, lajmëruan ata që ishin në komision. Erdhi e pa policia vendore, pritëm por asgjë. Nuk erdhën. Po na bien mbi kokë," tha banorja.

Të kontaktuar nga "Ora News" përfaqësues të bashkisë e pranojnë problematikën në fjalë, teksa thonë se do të ketë një ndërhyrje, por pengesa, sipas tyre, qëndron tek sigurimi i fondeve.