Të kequshqyer! Shqiptarët po blejnë me gramaturë, dieta e varfër burim për sëmundje të shumta

Me rritjen e çmimeve qytetarët shqiptarë duket se po blejnë më pak bulmet, mish, fruta e zarzavate. Dietologët thonë se dietat e varfra janë burim sëmundjesh duke nisur nga diabeti, sëmundjet kardiake e ato kancerogjene.

Bulmet, mish e fruta me kursim.

Me rritjen e çmimeve shqiptarët po blejnë më pak duke i varfëruar tryezat e tyre.

"Marrim më pak, çfarë të bëjmë. Një kg mish e ndajmë në disa pjesë. Djathi shumë i shtrenjtë, ka shkuar 1300 lekë, më shumë marrim gjizë.

Mishin e grirë marrim më shumë," thonë qytetarët.

Por mosmarrja në sasinë e duhur e karbohidrateve, vitaminave dhe proteinave çon në kequshqyerje.

Anila Kalleshi, nutricioniste thotë se dietat e varfra bëhet shkak për diabetin, sëmundjet kardiake e deri te ato kancerogjene.

"Kequshqyerja është e lidhur me një sërë patologjish si për sëmundjet kronike, diabeti, kolesterol, tension, sëmundjet e pashërueshme si kanceri.

Ne kaluam Covid-in dhe pamë që një nga faktorët kryesorë tek personat që nuk e përballuan ose e kaluan keq ishin ata që kishin një sistem imunitar jo shumë të fortë," tha ajo.

Bulmeti e mishi, që shqiptarët po blejnë me gramaturë Kalleshi thotë se janë të nevojshëm për një shëndet të mirë.

"Edhe bulmeti e mishi është një vlerë e shtuar në dietën tonë të shëndetshme. Gjithmonë me karar. Jo të abuzojmë me sasinë e tyre dhe gjithmonë të jetë larg hormoneve," tha ajo.

Ajo liston disa prej ushqimeve që nuk duhet të konsumohen për të shmangur problemet shëndetësore.

"Pjesa më e madhe e personave të kequshqyer konsumojnë fastfood-e, ushqime të pashëndetshme, sallam, proshutë që të japin yndyrna të ngopura e janë të dëmshme për organizmin, pasi lidhen me një sërë patologjish," tha ajo.

Sipas një raporti të vitit të shkuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshmëria ushqimore.