Martinaj lëshoi masat e sigurisë, ish-Missi: U njoha me “King Simbën” në Instagram. Lëvizjet mes Tiranës, Durrësit e Laçit

Teksa Jeton Lami, oficeri i njësisë së kërkimit “Fast” në Policinë e Shtetit është marrë i pandehur për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për refuzimin e lirimit të tij nga qelia.

Në vendimin prej 6 faqe të mara nga gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj, jepet një tablo e qartë e lëvizjeve mjaft të lirshme të personit në kërkim Ervis Martinaj me të dashurën e tij, “Miss Univers” Sadete Kokomani.

Është e habitshme se si njeriu më i kërkuar nga prokuroria SPAK por edhe nga hasmit e tij në Kurbin dhe Tiranë, qarkullonte në muajin Korrik dhe Gusht 2022, kaq lehtësisht dhe pa asnjë masë sigurimi për jetën e tij.

Një lëshim komplet të situatës së sigurisë edhe pse Martinaj ishte goditur mjaft ashpër në masakrën e Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë djali i xhaxhait të tij, Briland Martinaj,Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Në dëshminë e dhënë në 15 Gusht 2022, Sadete Kokomani ka treguar se ishte në kontakt me Ervis Martinaj përmes aplikacionit “Instagram” dhe “Telegram”.

Ndër të tjera ajo ka shpjeguar se, me Ervis Martinaj është njohur në muajin Janar të vitit 2022, pasi ai i ka shkruar në rrjetin social "Instagram".

Ervisi ka pasur adresën në instagram me emrin “King Simba" dhe foto profili ka pasur një luan. Pas disa komunikimeve, për herë të parë është takuar me Ervisin në Durrës, në 7 janar 2022, përpara hotel "Palace" në plazh.

Ervisi, sipas saj kishte shkuar vetëm, me një automjet "BMË", seria 7, targat e të cilit nuk i mban mend. Atë ditë është nisur bashkë me Ervisin me mjetin që përmendi më lartë për në Tiranë.

Por duke qenë se kishte trafik rrugës janë kthyer dhe kanë shkuar tek "Arbëria Palace" në Fushë-Milot, ku kanë pirë kafe dhe më pas kanë shkuar për të ngrënë drekë në Patok, tek lokali i hallës së Ervisit, i cili ishte me shtëpiza të vogla dërrase. Pas këtij takimi kanë vijuar takimet normalisht me Ervisin.

“Miss Universi” sqaron se në 5 gusht 2022, rreth orës 17:00, është nisur me taksi nga Durrësi për në Tiranë, pasi kishte komunikuar me Ervisin në aplikacionin "Telegram", për të parë një shtëpi që do e merrte me qira.

Pasi ka parë shtëpinë, ka marrë një taksi tjetër dhe ka shkuar tek "Hygeia" në Tiranë. Kjo pasi Ervisi i kishte shkruar që po e priste atje.

Ervisi ka qenë në një automjet "Audi" A-8, me targa të huaja, i ulur në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa në vendin e drejtuesit ka qenë një person tjetër, që Ervisi e mbante afër vetes si shofer, rreth 30 vjeç, me flokë pak të rëna përpara dhe mbante pak mjekër (Jeton Lami).

Ajo ka hipur në ulësen e pasme të mjetit dhe janë nisur nga Tirana për në Durrës. Fillimisht bënë një xhiro me mjet deri në “Golem” dhe më pas kanë shkuar tek hotel "Adriatiku".

E pyetur lidhur me rezervimin e dhomës së hotelit Sadete Kokomani ka shpjeguar se, dhomën e ka rezervuar personi që i shoqëronte (shoferi).

Ndërsa ajo me Ervisin kanë shkuar tek bari i hotelit dhe më pas janë ngjitur tek dhoma e hotelit, ku kanë qëndruar deri ditën e nesërme në 6 gusht 2022 rreth drekës, kohë kur janë larguar nga hoteli.