Dan Hutra mendonte vetëm për krime. Vjedhës delesh, pulash, kuajsh e masakrues i grave. Zbardhet kartoteka kriminale

Dan Hutra, ka pushtuar hapësirën mediatike të lajmeve të kronikës së zezë, pasi pesë ditë më parë masakroi me thikë dhe kallash tre gra në Tiranë, ndërsa tre të tjera i la të plagosura rëndë.

Për policinë kriminale, Hutra ishte një person me rekorde të shumta si një njeri jo i rregullt me ligjin. Por çuditërisht ky person asnjëherë nuk ishte mbajtur në monitorim nga policia, për të parandaluar krimet që planifikonte dhe i kryente më pas.

Madje dhe në minutat e fundit gjatë arrestimit të tij nga policia në zonën e Sharës, Hutra u shfaqi një kërkesë uniformave blu, që ta linin të lirë sa të vriste dhe Rahman Selën dhe ta mbyllte të gjithë planin kriminal që kishte krijuar në mëndje.

“Ora News” ka parë nga afër kartotekën kriminale të Dan Riza Hutrës, ku përgjatë këtyre 20 viteve pasqyrohet një informacion i ngjeshur kriminal për këtë individ.

Histori i problemeve me drejtësinë të Dan Hustrës shtrihet thellë në kohë, kur në vitin 1998 është procedura për vjedhjen e dy deleve në një stallë të fshatit ku banonte në Kukës.

Pas dënimit dhe lirimit nga qelia, Dan Hutra përfshihet në të një tjetër ngjarje kriminale, pasi në vitin 1999 ai është implikuar në vjedhjen e një kali, që i përkiste një njeriu të afërm të tij. Vjedhja e kalit besohet se është bërë shkak për lindjen e një konflikti brenda radhëve të fisit Hutra.

Nga ky konflikt mbeti i vrarë Riza Hutra, babai i vrasësit gjakftohtë.

Për vjedhjen e kalit, Dan Hutra është shpallur vetëm në kërkim policor, por ky kërkim është shuar pasi prokuroria nuk ka nisur çështje penale.

Më tej në kartotekën kriminale thuhet se në vitin 2003 Dan Hutra, është përfshirë në një ngjarje kriminale siç është “Heqja e paligjshme e personit” dhe “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me të rritura” mbetur në tentativë.

Për këtë ngjarje Dan Hutra është gjykuar dhe dënuar me 3 vite burgim.

Në vitin 2006, Dan Hutra është proceduar nga prokuroria e Tiranës, për vjedhjen e një furgoni. Për këtë ngjarje ai nuk është arrestuar asnjëherë dhe hetimet në këtë rast janë pezulluar.

Në muajin Dhjetor 2007, Dan Hutra vret me thikë gruan e tij 22-vjeçare, Dafina Havalja. Për këtë krim Hutra është dënuar me 24 vjet burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar Hutra, u dënua përfundimisht me 16 heqje lirie.

Në kartotekën e policisë thuhet se në muajin dhjetor 2021, Hutra arrestohet duke tentuar të vjedhë banesën e komshiut. Për këtë krim ai është lënë i lirë, duke qëndruar vetëm dy ditë i shoqëruar në polici. Pasi gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Por më tej ka një tjetër të dhënë kriminale, pasi në 31 janar 2022 ai është arrestuar sërish në Durrës në tentativë për të vjedhur pulat në një kotec. Edhe për këtë ngjarje, Hutra ka dalë para gjykatës, duke u njohur me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore”.

Qëndrimi në qelitë e shoqërimit të Hutrës ka zgjatur vetëm dy ditë.

Më tej ndaj në kartotekën kriminale ndaj Hutrës ka një të dhënë tjetër si person me tendencën e “Dhunës në familje”. Ai dhunonte gruan e tij, Elvira Hysa, ndaj dhe kjo e fundit e ka kallëzuar. Për këtë krim, Hutra bëri 1 vit burgim, duke dalë nga qelia në 16 shkurt 2023.

Më tej në 1 mars 2023, Dan Hutra bëhet protagonist i një krimi të rëndë, pasi brenda 1 ore ka vrarë 3 gra në Tiranë dhe tre të tjera ka plagosur.

Mevlute Hysa, Etleva Kurti dhe Hasime Dafku mbetën të vrara. Ndërsa gruaja e Hutrës Elena Hysa, e dashura e tij Marjana Gurakuqi, dhe vjehrra Kujtime Hysa, mbetën të plagosura.

Kartoteka kriminale

1.            Në vitin 1998 është proceduar në Kukës për vjedhjen e dy deleve në fshatin e tij.

2.            Në vitin 1999 shpallet në kërkim policor për vjedhjen e një kali të kushërit të tij në Durrës.

3.            Në vitin 2003 procedohet për “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Kryerja e marëdhënieve seksuale me persona të rritur” mbetur në tentativë

4.            Në vitin 2006, Dan Hutra procedohet në gjendje të lirë për vjedhjen e një furgoni në lagjen ku banonte. Kjo çështje është pezulluar.

5.            Në vitin 2007, procedohet për “Vrasje me paramendim” në dëm të gruas së tij, Dafina Havalja.

6.            Në vitin 2021 Dan Hutra, procedohet për vjedhje të mbetur në tentativë në banesën e komshiut të tij. Qëndron vetëm dy ditë i shoqëruar në polici.

7.            Në vitin 2022, procedohet në Durrës dhe merret i pandehur në gjendje të lirë për vjedhjen e mbetur në tentativë të pulave në kotec.

8.            Në vitin 2022 procedohet për dhunë në familje ndaj bashkëshortes së saj, Elvira Hysa.

9.            Në vitin 2023 procedohet dhe mbyllet në burg për “Vrasje brenda marrëdhënies familjare”, “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes së mbetur në tentativë” në dëm të Marjana Gurakuqit, “Vrasjes brenda marrëdhënies familjare” mbetur në tentativë në dëm të Elvira dhe Kujtime Hysa. Si dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”.