Edhe buka me listë/ Në Përmet blerësit ankohen për çmimet, tregtarët për shitjet

Në Përmet blloku i borxheve nuk mungon as në furrat e bukës. Tregtarët thonë se fuqia blerëse ka rënë për shkak të çmimeve të larta.

Në Përmet edhe buka merret me listë.

"Ka plot që janë me listë."

Tregtarët thonë se nuk i kanë rritur çmimet por sërish shitje nuk ka.

"Shumë keq. Me këto çmime që kanë shkuar, populli nuk i përballon dot fare. Është katastrofë," tha një tregtare.

Edhe në tregjet e vogla qytetarët ngurrojnë të blejnë.

Shkak janë çmimet që thonë se nuk i përballojnë dot.

"Janë shumë të larta, ku ti gjejmë paratë," tha një i moshuar.

Të shumta janë ata që vetëm shohin dhe dalin nga tregu pa blerë gjë.

"S'kam blerë, shkoj shikoj atje matanë sa janë," tha një qytetare.

Më të vështirë e kanë pensionistët.

"Ilaçe e ushqime kaq. Me pensionin që kemi ne janë qesharakë, sidomos fshati," thonë ata.

Teksa blerësit ankohen për çmimet e larta, tregtarët ankohen për shitjet e pakta.

"Tre gjizë kam shitur. Çfarë të bëj me aq. Në fund fare nuk kemi bërë as 1000 lekë xhiro," thonë ata.

Thonë se nuk po arrijnë të nxjerrin dot as ushqimet e ditës.

"Zero, ska punë fare. Të mos arrish të nxjerrësh as thërimen e bukës," thanë ata.

Tregtarë e blerës kërkojnë më shumë mbështetje financiare nga qeveria për të kaluar krizën e rritjes së çmimeve.