Saga me urbanët e Unazës, ekspertët kërkojnë vlerësimin e kushteve teknike, ende heshtje

Një javë pas aksidentit me urbanin në Tiranë ende nuk ka një masë për kompaninë edhe pse ishte rasti i dytë i përmasave të rënda. Ekspertët kanë deklaruar se shkak mund të jenë kushtet teknike apo dhe lodhja e drejtuesve të mjeteve, por tashmë do të pritet që Bashkia të vlerësojë situatën.

Aksidentet e rënda me urbanë në një kohë të shkurtër kanë sjellë pasiguri të shtuar jo vetëm për udhëtarët.

Në fund të shkurtit autubusi Go Green përplasi 10 makina e shkaktoi disa të lënduar, fatmirësisht pa viktima, por me shumë trauma.

Shkaqet e kësaj përplasje mbesin ende enigmë, por ngjarja ishte e paralajmëruar.

Autobusi i të njëjtës linjë në prill të vitit të shkuar shkaktoi një tjetër ngjarje të rëndë.

Teksa përfundoi si urë lidhëse mbi lumin Lana, poshtë tij zuri një automjet.

Fatmirësisht nuk pati humbje jete edhe pse pamjet ishin të rënda.

Ekspertët në të dy rastet kanë vënë në dyshim sistemin e frenimit, por edhe kontrollin e drejtuesve.

"Duhet hetuar më në detaje gjendja e këtyre mjeteve që kanë ardhur. Janë autobusë me kamio automatike. Kanë pedalin e gazit dhe frenave, është instikt. Që në goditjen me mjetin e parë shoferi duhet të kishte vepruar edhe nëse mund të kishte gjendje të rënduar shëndetësore. Është instikt."

Por duket se pas ngjarjes së parë nga kompania nuk u ndërmorën veprimet e duhura për të shmangur aksidente të rënda, çka u pasua me ngjarjen e 27 shkurtit.

Tashmë mbetet për tu parë nëse do të jetë Bashkia e Tiranës, apo kryebashkiaku Veliaj që do të veprojë me masë apo heqje të licencës.

Pikërisht më herët për të njëjtën linjë të Unazës, Veliaj ia hoqi licencën kompanisë që vepronte më parë për shkak të shkeljeve, por mbetet për tu parë se si do të veprohet me të.