U masakrua pasi u kap brenda banesës duke vjedhur pula, humb jetën tek Trauma 52-vjeçari

Një 52-vjeçar nga Kuçova humbi jetën në spital 7 ditë pasi u dhunua nga një banor i zonës për shkak të vjedhjes së dy pulave. Të afërmit e viktimës thanë se duan drejtësi pasi policia ka lënë të lirë autorin e ngjarjes.

Familja e Krenar Briskut nga Kuçova kërkon drejtësi për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë, ku 52-vjeçari u masakrua nga një 22-vjeçar që e kapi brenda banesës duke vjedhur pula.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 26 shkurtit në lagjen "11 Janari" në Kuçovë.

52-vjeçari Lefter Brisku, i njohur edhe me emrin Krenar Brisku, nuk ka mundur dot tu mbijetojë plagëve të marra dhe mesditën e së shtunës ka humbur jetën në ambjentet e Spitalit të Traumës në Tiranë, ku u dërgua në gjendje kome për shkak të goditjeve të shumta që kishte marrë në kokë.

Ai qëndroi 7 ditë në Spitalin e Traumës, ku sipas familjarëve nuk ka dalë nga gjendja e komës.

Policia mësohet se ka shoqëruar autorin e dyshuar të ngjarjes, 20-vjeçarin Bjorsi Shushari, i cili ishte lënë i lirë pasi është student në Tiranë.

Familjarët e viktimës Lefter Brisku kërkojnë drejtësi pasi thonë se 52-vjeçari u masakrua në mënyrë barbare nga i riu për dy pula.

Vëllai i viktimës, Shyqo Brisku, bën apel që shteti të veprojë për vendosjen e drejtësisë për 22-vjeçarin.

"Nëse vëllai kishte shkuar për të vjedhur ata duhet të njoftonin policinë kur e panë në oborr dhe jo ta masakronin për vdekje.Vëllai im ka dalë atë natë nga shtëpia i dehur dhe në atë gjendje që ndodhej ishte shumë e thjeshtë që një 20-vjeçar ta neutralizonte e të thërriste policinë por jo ta masakronte për vdekje.Kërkojmë drejtësi për vëllain tonë, që la jetim djalin e vetëm 16-vjeç".

Dy protagonistët e ngjarjes, jetonin në të njëjtën lagje të Kuçovës dhe njiheshin edhe pse banesat ishin në distancë.