Po ziheshin në Pezë Helmës dhe njërit i ra arma në tokë, në pranga dy babë e bir dhe një tjetër
Dy persona që u përfshinë në konflikt dhe 1 shtetas tjetër që fshehu armën e zjarrit janë arrestuar nga policia në Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në fshatin Pezë Helmës, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Prevention".
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Noldi Shima, 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit";
- Eris Bulku, 32 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje" dhe "Moskallëzimi i krimit";
- Ibrahim Bulku, 60 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur parandalimi i konfliktit për motive të dobëta mes shtetasit E. B. dhe shtetasit N. Sh., i cili mbante me vete armë zjarri.
Gjatë konfliktit fizik, shtetasit N. Sh. i ka rënë në tokë arma e zjarrit, të cilën e ka marrë shtetasi I. B. (babai i shtetasit E. B.) dhe e ka fshehur për të shmangur përgjegjësinë ligjore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me 2 krehra me fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.