Mësim në lagështirë e në të ftohtë, nxënësit e gjimnazit "Siri Shapllo" në Gjirokastër bojkotojnë mësimin

Nxënësit e gjimnazit “Siri Shpallo” në Gjirokastër kanë protestuar duke bojkotuar mësimin këtë të martë. Ata thanë se shkak i protestës është mungesa e ngrohjes në shkollën e tyre. Lagështira e cila ka nxjerrë jashtë funksionit disa klasa është kthyer problem për nxënësit të cilët apeluan për ndërhyrje.

Lagështia në mure e tavane, prezencë uji në dysheme, dritare pa xhama , këto janë kushtet e katit të tretë të gjimnazit “Siri Shapllo” në Gjirokastër. Prej tetë vitesh kërkesave të njëpasnjëshme dhe shkresave drejtuar bashkisë së Gjirokastrës nga drejtoria e shkollës nuk kanë marrë asnjë përgjigje .

Kjo situatë e rënduar e procesit mësimor ka bërë që nxënësit e viteve të dyta të bojkotojnë mësimin.

Ata thonë se kushtet janë me të vërtetë skandaloze pa ngrohje dhe me prezencë të madhe lagështire.

"Në katin e tretë shumica e klasave janë jashtë përdorimit. Mund të kenë ngelur shumë pak klasa të prekura pak ose të paprekura fare.

Shumë prej nesh jemi detyruar të ndërrojmë klasat për shkak të klagështirës. Para vitit të ri erdhën dhe rregulluan se gjendja ishte shumë keq. Por pas rregullimit, u bë akoma dhe më keq," tha një nxënëse e kësaj shkolle.

Të vendosur për bojkot nxënësit kanë mbajtur edhe një peticion drejtuar kryetarit të bashkisë të marrë masa brenda një afati 2 javor.